BDI: Riorganizimi në MPB rrezikon balancën ndëretnike dhe besimin institucional
Bashkimi Demokratik për Integrim ka shprehur shqetësim serioz lidhur me paralajmërimet për riorganizimin e strukturës drejtuese në Ministrinë e Punëve të Brendshme, që përfshin shfuqizimin e një numri të madh pozitash udhëheqëse.
MARKETING

Sipas BDI-së, reduktimi i mbi një të tretës së strukturës drejtuese në një institucion kaq të ndjeshëm nuk është vetëm çështje organizative, por ka ndikim të drejtpërdrejtë në përfaqësimin e drejtë dhe balancën ndëretnike.
Partia thekson se parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat është standard kushtetues dhe element kyç për ruajtjen e besimit të qytetarëve në institucionet e sigurisë. Në këtë kontekst, ata vlerësojnë se heqja e pozitave pa mekanizma të qartë për garantimin e këtij përfaqësimi paraqet rrezik real për prishjen e balancës së arritur ndër vite.
BDI kërkon transparencë të plotë për sistematizimin e ri, kriteret e përzgjedhjes dhe mënyrën konkrete se si do të sigurohet përfaqësimi i drejtë në strukturat drejtuese të MPB-së.
Sipas tyre, reformat në sektorin e sigurisë duhet të forcojnë profesionalizmin, por në të njëjtën kohë të ruajnë balancën ndëretnike dhe besimin institucional, duke paralajmëruar për pasoja afatgjata në rast të devijimit nga këto parime.