Naim Murselit i tregohen pamjet e Liridona Ademajt pas vrasjes, ai refuzon t’i shohë
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur seanca e radhës në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.
Të akuzuarit u sollën në gjykatë me pranga në duar. Gjatë seancës, kryetarja e trupit gjykues, Fatmire Dermaku, prezantoi prova të reja, përfshirë fotografi nga momenti i vrasjes dhe imazhe të stolitë e arit që viktima kishte pasur në dorë natën kritike.
Gjatë shfaqjes së pamjeve, Naim Murseli deklaroi se nuk mund t’i shohë ato, duke shfaqur shqetësim dhe pakënaqësi ndaj përmbajtjes së materialeve.
Në seancën e fundit, Murseli kishte kërkuar të komunikonte me djalin e tij dhe me Behgjet Pacollin. Kryetarja Dermaku i refuzoi kërkesën për kontakt me Pacollin, duke sqaruar se ligji nuk lejon komunikimin me persona të kategorisë së tij.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, rreth orës 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Hetimet dhe gjykimi ndaj të akuzuarve vijojnë.