Gjashtë vjet anëtare e NATO-s: Maqedonia e Veriut kontribuon aktivisht për paqen dhe sigurinë
Republika e Maqedonisë së Veriut u bë zyrtarisht anëtarja e 30-të e NATO-s më 27 mars 2020, duke realizuar një nga prioritetet strategjike të politikës së jashtme të vendit, raporton Anadolu.
MARKETING

Përkushtimi ndaj integrimit euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut daton që nga viti 1993, kur Kuvendi miratoi një Rezolutë që përcakton prioritetet e politikës së jashtme të vendit, anëtarësimin në NATO dhe BE.
Më 15 nëntor 1995, me emrin e atëhershëm, Republika e Maqedonisë nënshkroi Dokumentin Bazë për bashkimin në programin “Partneritet për Paqen” dhe në të njëjtën kohë u pranua në Këshillin e Bashkëpunimit të NATO-s, më vonë i njohur si Këshilli i Partneritetit Euro-Atlantik.
Zyra Ndërlidhëse e NATO-s në Shkup u hap më 14 qershor 1996 ndërsa Misioni i Përhershëm në selinë e NATO-s në Bruksel në fund të vitit 1997. Në samitin e NATO-s në Washington në prill 1999, Republika e Maqedonisë mori statusin e kandidatit për anëtarësim, pas së cilës filloi përgatitja dhe zbatimi i Planit të Veprimit për Anëtarësim.
Në Deklaratën përfundimtare të Samitit të NATO-s në Bukuresht më 2008, Aleanca vendosi që vendi të merrte ftesë për anëtarësim pasi të zgjidhej çështja e emrit me Greqinë. Deklaratat e samiteve të mëvonshme (Lisbonë 2010, Çikago 2012, Uells 2014 dhe Varshavë 2016) përsëritën formulimin e Bukureshtit se ftesa për anëtarësim do të dërgohej menjëherë pas arritjes së një zgjidhjeje të pranueshme reciprokisht për emrin brenda OKB-së.
– Ndryshimi i emrit të vendit për shkak të problemit me Greqinë
Megjithëse kishte ndërprerje disa-vjeçare në negociatat për zgjidhjen e çështjes së emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, ato vazhduan herë pas here.
Pas 25 vjetësh nga pranimi i Maqedonisë në OKB, Greqia dhe Maqedonia me ndërmjetësimin e OKB-së zhvilluan negociata, pas të cilave më 17 qershor 2018 u nënshkrua Marrëveshja e Prespës në fshatin grek Nivici, në bregun e Liqenit të Prespës.
Sipas marrëveshjes, e njohur si zgjidhje për emrin dhe marrëveshje për partneritet strategjik, Maqedonia do të ndryshonte emrin në “Maqedonia e Veriut”. Për këtë qëllim, në shtator 2018 u mbajt referendum në vend.
– Anëtarja e 30-të e NATO-s më 27 mars 2020
Në Samitin në Bruksel më 11-12 korrik 2018, Këshilli i Atlantikut të Veriut në nivel të kryetarëve të shteteve dhe qeverive vendosi ta ftojë Republikën e Maqedonisë së Veriut të fillonte negociatat për anëtarësim në Aleancë.
Më 18-19 tetor 2018, në një takim në selinë e NATO-s në Bruksel, Republika e Maqedonisë së Veriut përfundoi me sukses negociatat për anëtarësim.
Më 6 shkurt 2019, në selinë e NATO-s në Bruksel, përfaqësuesit e 29 vendeve anëtare, në praninë e Sekretarit të Përgjithshëm dhe ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, u nënshkrua Protokolli për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Aleancë.
Pas ceremonisë zyrtare në Bruksel, filloi procesi i ratifikimit nga të gjitha 29 vendet anëtare, i cili përfundoi më 19 mars 2020, kur Ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Washington dorëzoi instrumentin e ratifikimit të Marrëveshjes së Washingtonit, duke përfunduar kështu fazën e tretë dhe të fundit të procesit të aderimit.
Për të siguruar vijimësi të qetë të procesit të integrimit, më 11 shkurt 2020, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ratifikoi njëzëri Traktatin e Atlantikut të Veriut ndërsa më 20 mars 2020, presidenti nënshkroi instrumentin e ratifikimit të Protokollit për anëtarësim.
Më 27 mars 2020, përmes Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Washington, instrumenti për bashkimin me Traktatin e Atlantikut të Veriut u depozitua në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, duke bërë që vendi të bëhet zyrtarisht anëtar i 30-të i NATO-s.
– “Maqedonia e Veriut, një aleate e fortë dhe e çmuar”
Gjatë vizitës së tij në vend më 3 mars 2026, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e përshkroi Maqedoninë e Veriut si “aleate të fortë dhe të çmuar”, duke theksuar rritjen e angazhimit për mbrojtje, kontributin në krahun lindor të Aleancës dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën.
“Maqedonia e Veriut luan rol kyç në ruajtjen e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor”, nënvizoi Rutte, duke theksuar se NATO mbetet fuqishëm e përkushtuar për parandalimin e ndonjë vakumi të sigurisë në rajon.
“Pavarësisht sfidave të shumta të sigurisë me të cilat përballemi, siguria e Ballkanit Perëndimor mbetet prioritet për NATO-n”, shtoi ai.
Sot, Republika e Maqedonisë së Veriut kontribuon aktivisht në misionet e sigurisë të NATO-s, BE-së dhe OKB-së, në rajon dhe në botë, duke mbështetur paqen dhe sigurinë.
Roli aktiv në bashkëpunimin rajonal të sigurisë përmes Kartës SHBA-Adriatike gjithashtu konfirmon kontributin e rëndësishëm të vendit për zhvillimin e një rajoni të qëndrueshëm, të sigurt dhe ekonomikisht prosperues.