(VIDEO) Filipçe: Jemi prej popujve me ciklin më të gjatë të punës
Kryetari i LSDM-së opozitare Venko Filipçe propozon shkurtimin e ditëve të punës, nga 5 në 4 ditë. Në këtë mënyrë theksoi ai, njeriu vendoset para fitimit dhe qëllimi është jetë e dinjitetshme për punëtorët.
MARKETING

Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së
“Jemi bërë një komb me ciklin më të gjatë të punës. Një komb që është më i mbingarkuari me punë, më i rraskapituri dhe përballet me ‘burn out’ masiv. Njerëzit punojnë përmes kontratave të autorit ose me të ashtuquajturin vetëpunësim të rremë. Kjo është arsyeja pse nevojitet siguri dhe qëndrueshmëri e garantuar në vendin e punës. Pas një viti, punë të përhershme, ne i japim fund kontratave njëmujore. Pas një maksimumi prej 12 muajsh, çdo angazhim i përkohshëm bëhet i përhershëm”.
Në masën “Shkurtim të javës së punës”, Filipçe njoftoi se parashihen edhe propozime të tjera si shkurtim i orarit të punës për punëtorët më të moshuar, personat me nevoja të veçanta dhe ato që janë në proces rikuperimi, subvencione për të gjitha kompanitë të cilat do të testojnë javën e shkurtuar të punës dhe propozime të tjera. Me masat dhe politikat e reja të programit të partisë, Filipçe thotë se garantojnë rritje të pagave dhe 50% rritje të pensioneve.
Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së
“Nëse fitimet e një kompanie rriten, edhe paga e punëtorit duhet të rritet. Shteti nuk do të jetë më vetëm një vëzhgues i heshtur, por një partner që shpërblen kompanitë e ndershme dhe ndëshkon ato që përfitojnë nga vuajtjet e të tjerëve. Shteti zvogëlon pjesën e tij tatimore të kompanive që rrisin pagat. Në vend që të shkojnë në buxhet, paratë përfundojnë direkt tek punëtori”.
Këtë program bëri me dije se synojnë që ta bëjnë program zyrtar të partisë pas Kongresit të partisë të caktuar për më 7 qershor.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/