(VIDEO) Ambasadori francez: Rruga për në BE kalon përmes ndryshimeve kushtetuese
Ndryshimet kushtetuese janë kushti që duhet tejkaluar për hapjen e klasterëve negociues mes BE-së dhe RMV-së, vlerëson ambasadori francez në Shkup, Kristof Le Rigoler, i cili në intervistë për Radio Evropa e Lirë, deklarohet i prerë se korniza negociuese e miratuar në vitin 2022, nuk do të ndryshojë, sepse ajo ekziston dhe është pranuar nga të gjithë.
MARKETING

Sipas ambasadorit në kontekstin aktual është e rëndësishme të përmirësohen marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
KRISTOF LE RIGOLER – AMBASADOR I FRANCËS NË RMV
“Procesi eurointegrues i RMV-së kalon përmes miratimit të amendamenteve kushtetuese. Kjo është çështja e parë. Çështja e dytë është dialogu ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, dhe këtu duhet të jetë shumë e qartë se ideja nuk është të hapet një dialog bilateral për të rinegociuar kompromisin e vitit 2022 apo diçka tjetër. Këto janë dy gjëra të ndryshme. Kompromisi evropian është një dokument evropian, jo një dokument bilateral maqedono-bullgar”.
Rigoler deklaon se Franca ka tre ekspertë teknikë ndërkombëtarë që punojnë në Ministrinë për Çështje Evropiane, Ministrinë e Mjedisit dhe Ministrinë e Drejtësisë.
KRISTOF LE RIGOLER – AMBASADOR I FRANCËS NË RMV
“Mendoj se ka disa tema të ndryshme. Do të filloja, dhe është logjike, me klasterin e vlerave themelore, sepse pikërisht nga ky klaster gjatë negociatave gjithçka do të fillojë dhe gjithçka do të përfundojë. Ky do të jetë klasteri i parë që do të hapet dhe i fundit që do të mbyllet. Kjo është shumë e rëndësishme sepse këtu përfshihen të gjitha temat – drejtësia, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit”
Ai sqaroi se për hapjen e këtij klasteri, Maqedonia e Veriut duhet të dorëzojë tre dokumente: një udhërrëfyes për administratën publike, një udhërrëfyes për reformën në sundimin e ligjit dhe një plan veprimi për pakicat.
Ambasadori francez ka folur edhe për agjendën reformuese dhe vonesat në reformat kyçe ligjore si Kodi i ri zgjedhorë dhe reformat në sistemin gjyqësor.
Mevludin Imeri /SHENJA/