“Duam siguri absolute për ekipin tonë” – Ambasada e Turqisë dërgon notë verbale, kërkon siguri maksimale për kombëtaren turke
Derisa bota po shkruan për “përrallën ballkanike” të Kosovës, prapaskenat e ndeshjes vendimtare kundër Turqisë kanë marrë përmasa diplomatike.
Burimet e Insajderit bëjnë me dije se Ambasada e Turqisë në Prishtinë i ka dërguar një notë verbale institucioneve të Kosovës, duke kërkuar masa të jashtëzakonshme sigurie.
Mesazhi i diplomacisë turke ka qenë i prerë.
Sipas informacioneve, pala turke nuk ka vënë kushte për lokacionin apo hotelin ku do të akomodohet delegacioni i tyre, por barra kryesore i ka mbetur Policisë së Kosovës.
“Në cilindo hotel që vendosni t’i dërgoni, ne duam siguri absolute për ekipin tonë”, mësohet të ketë qenë kërkesa ndaj insituticioneve të vendit.
Kombëtarja turke do të përballet në “Fadil Vokrri” me kombëtaren e Kosovës në finalen e play-off-it të Kualifikueseve Evropiane për Kupën e Botës 2026.