Abil Baush në mbështetje të protestave studentore: Pa barazi gjuhësore nuk ka meritokraci të vërtetë
Ekonomisti Abil Baush ka dalë hapur në përkrahje të protestave të studentëve shqiptarë, duke ndarë një përvojë personale që, sipas tij, pasqyron sfidat reale të sistemit arsimor.
MARKETING

Baush thekson se rrugëtimi i tij akademik nuk ka qenë i lehtë. Ai kujton se provimin pranues në Fakultetin Ekonomik e kishte dhënë në gjuhën maqedonase, ndërkohë që arsimin e mesëm e kishte përfunduar në gjuhën shqipe, në një periudhë kur studentët shqiptarë përfshiheshin në një “kuotë pozitive” prej vetëm 5%.
Sipas tij, edhe pse arriti të mësojë mirë gjuhën maqedonase, vitet e para të studimeve ishin të vështira dhe patën pasoja reale në rezultatet dhe vetëbesimin e tij.
“Flitet për meritokraci – dhe jam plotësisht dakord me këtë parim. Por si mund të ketë meritokraci të vërtetë, kur një student nuk ka mundësi të tregojë dijen e tij në gjuhën amtare?”, shtron ai pyetjen.
Baush vlerëson se penalizimi i studentëve për shkak të gjuhës nuk është drejtësi, por humbje potenciali për të gjithë shoqërinë. Ai i referohet edhe Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, duke theksuar se qëllimi i saj ishte barazia reale, ndërsa situata aktuale, sipas tij, po krijon barriera të reja në arsim.
Në vijim shkrimi i plotë i Baush:
Pse jam PRO studentëve?
Sot dua të ndaj një përvojë personale që për mua nuk është vetëm kujtim, por një realitet që më ka formuar.
Rrugëtimi im akademik nuk ka filluar lehtë. Provimin pranues për në Fakultetin Ekonomik e kam dhënë në gjuhën maqedonase, ndërkohë që shkollimin e mesëm e kam përfunduar në gjuhën shqipe. Për më tepër, ne atëherë ishim pjesë e një “kuote pozitive” prej vetëm 5% një realitet që më shumë na kufizonte sesa na ndihmonte.
E vërteta?
Unë e mësova gjuhën maqedonase shumë mirë madje aq sa e flisja rrjedhshëm. Por kjo nuk e ndryshon faktin se në dy vitet e para të studimeve, derisa adaptohesha, humba shumë: në nota, në vetëbesim, në ritëm akademik. Dhe kjo ka kosto reale në rrugëtimin e çdo studenti.
Sot dëgjojmë për meritokraci dhe kjo është e drejtë. Edhe unë jam për meritokraci.
Por lind një pyetje shumë e thjeshtë:
Si mund të ketë meritokraci të vërtetë, nëse një student nuk ka mundësi të shprehë njohuritë e tij në gjuhën amtare?
A duam profesionistë të mirë apo vetëm njerëz që “ia dalin” në një sistem më të vështirë se sa duhet?
Sepse kur një student penalizohet për gjuhën dhe jo për dijen kjo nuk është meritokraci. Kjo është humbje potenciali për gjithë shoqërinë.
Në aspektin politik, ne kemi një dokument shumë të qartë: Marrëveshjen Kornizë të Ohrit.
Qëllimi i saj ishte i thjeshtë: barazi reale për të gjithë qytetarët.
Por ajo që po ndodh sot nuk po e forcon barazinë po krijon barriera të reja.
Dhe çdo barrierë ndaj arsimit është barrierë ndaj zhvillimit të shtetit.
Unë jam njeri që njoh disa gjuhë sidomos ato ballkanike.
E di shumë mirë sa e rëndësishme është të jesh i hapur dhe i integruar.
Por një gjë është e qartë:
Për t’u ndërtuar si individ dhe si shoqëri, duhet liri reale dhe kjo fillon nga e drejta për të mësuar dhe për t’u vlerësuar në gjuhën tënde.
Sot, gjeneratat e reja shqiptare kanë modele si Mira Murati dhe Dua Lipa njerëz që kanë arritur botën pa humbur identitetin e tyre.
Ata nuk u bënë të suksesshëm duke u penguar por duke u mbështetur.
Prandaj ju lutem Më mirë na integroni sesa të na anashkaloni.
Sepse kur i jep mundësi një studenti fiton një shoqëri e tërë.