VOX Kosova: Kurti s’i mbështeti studentët shqiptarë në Maqedoni të Veriut sepse do “pasivitet të faktorit politik shqiptar”
Albin Kurti nuk e mbështeti protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut për një të drejtë elementare, ndërsa kishte mbështetur protestat e studentëve të Shqipërisë, shkruan mediumi kosovar Vox Kosova.
“Jo që nuk e ngrit zërin, jo që nuk e përmend, ai përkundrazi kërkon pasivitet të faktorit politik shqiptar, që ata të jenë të urtë, të qetë dhe mos ta ngrisin zhivën e kërkesave shqiptare aspak”, thotë për VOX Kosova Nuri Bexheti, profesor në Universitetin e Prishtinës, kur pyetet se pse Kryeministri i Kosovës nuk pati asnjë reagim për protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut.
Të hënën e 6 prillit, mijëra studentë shqiptarë në Maqedoni të Veriut të tri universiteteve: Universiteti i Tetovës, “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore, protestuan në Shkup, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Ata thanë se kjo është e drejtë e tyre që garantohet me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut dhe kanë kërkuar që të ndalet diskriminimi institucional ndaj shqiptarëve.
Protesta gjeti mbështetje të gjerë edhe jashtë shqiptarëve të Maqedonisë. Në Shqipëri, ndër të tjerë, e mbështeti edhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha. Mbështetje pati edhe në Kosovë – nga Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, Partia Demokratike e Kosovës, ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani etj.
Por, mbështetja mungoi nga ai person dhe ajo parti që drejtojnë shtetin e Kosovës. Nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje. Kurti, por edhe zyrtarë të tjerë të VV-së, që kanë ndërhyrë edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoni të Veriut duke u rreshtuar me koalicionin VLEN, nuk e thanë asnjë fjalë për protestën që kërkoi një të drejtë elementare, respektimin e gjuhës shqipe.
Për profesorin Bexheti, që vjen nga Maqedonia e Veriut, ky veprim i Kryeministrit të Kosovës, nuk është aspak i habitshëm. Përderisa kujton ndërhyrjet e vazhdueshme në Maqedoni të Veriut, ai thotë se Kurti “është faktori kryesor që ka përçarë faktorin politik shqiptar në Maqedoni të Veriut”.
Përfaqësues të shqiptarëve në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut janë partnerë të Albin Kurtit. Edhe vetë koalicionin, të cilin e kishin emëruar VLEN, e kishin bërë me “bekimin” e tij. VLEN ishte bërë pjesë e Qeverisë së Hristjan Mickoski-t të VMRO-DMPNE-së si humbës në kampin shqiptar, duke e prishur traditën për krijimin e Qeverisë mes fituesve në kampin shqiptar dhe fituesve në kampin maqedonas.
Nga ky koalicion pasi që nuk mundën që t’ia plotësojnë studentëve kërkesën që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe, tentuan që ta deligjitomjnë atë, duke thënë fillimisht se Bashkimi Demokratik për Integrim qëndron prapa.
Bexheti thekson se VLEN, jo vetëm që nuk ka bërë diçka më shumë për të drejtat e shqiptarëve, por edhe po i zbeh të arriturat e deritanishme.
“Mbështetësit e Kurtit aktualisht në Maqedoni që janë në pushtet, jo që nuk kanë propozuar asnjë ligj tjetër më të mirë, por përkundrazi nuk janë në gjendje as ta implemntojnë pjesën e paimplementuar dhe ajo që është implementuar pjesërisht edhe ajo është në zbehje e sipër”, potencon ai.
Për dallim nga protesta e studentëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut, Kurti kishte mbështetur protestat e studentëve në Shqipëri që ishin mbajtur në dhjetor të 2018-së dhe janar të 2019-së. Madje, Kurti kishte shkuar edhe fizikisht në Tiranë për t’i dhënë përkrahje studentëve të Shqipërisë, të cilët, ndër të tjera, kërkonin zvogëlimin e tarifave shtetërore për ta.
Për analistin politik shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Valon Bela, mospërkrahja e Kurtit për protestën e studentëve është “evoluim”, duke qenë se i njëjti ka qenë tejet i zëshëm për zhvillimet tek shqiptarët si opozitar. Ai konsideron se Kurti po flet në emër të, siç i quan ai, “emisarëve” të tij që janë pjesë e qeverisë maqedonase.
“Kryeministri Kurti në vend se të përkrah protestat studentore që protestuan për një të drejtë elementare, atë të mbajtjes (dhënies) së provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, po flet në emër të emisarëve të tij që i ka në VLEN. Kryeministri Kurti sa ishte në opozitë ka qenë pjesëmarrës në disa protesta të organizuara këtu në Shkup, por ja që ndoshta edhe ai ka ‘evoluar’”, thekson Vela për VOX Kosova.
Kurti, sipas Velës, do duhej të interesohej për këtë çështje, sepse, shton ai, “përmes ndikimit të tij në krijimin e VLEN dhe tani si pjesë e tyre në Qeverinë e RMV do duhej të ishte më i zëshëm në këtë kërkesë të studentëve”.
Një pjesë e politikanëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut dhe njohës të zhvillimeve politike atje, vazhdimisht e kanë kritikuar Kurtin se me ndërhyrjet e tij po i përçan shqiptarët në RMV.
Një nga deklaratat më të bujshme të Kurtit kishte qenë kur në nëntor të 2024, në një konferencë për media me Kryeministrin maqedonas, Hristjan Mickoski, në Prishtinë, kishte deklaruar se “s’mund të thuhet se gjuha shqipe ka qenë zyrtare dhe se tash është rrezikuar”, pasi që ishte pyetur për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, i cili po shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut, e ku kishte paralajmërime që mund të shfuqizohen dispozitat që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, kishte reaguar ndaj kësaj deklarate, duke ia kujtuar Kurtit se gjuha shqipe është zyrtare dhe se e njëjta do të mbrohet, pasi që e njëjta është arritur përmes gjakut të dëshmorëve, duke kujtuar luftën e 2001-së mes forcave polico-ushtarake maqedonase dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Komandat Suprem i së cilës kishte qenë vetë Ahmeti. Nga kjo luftë kishte buruar edhe Marrëveshja e Ohrit./VoxKosova/