BDI: Hipokrizia e VLEN-it për Korridorin 8 nuk mund të fshihet
Partia e Ali Ahmetit, Bashkimi Demokratik për Integrim sot përmes një komunikate lëshuar për media, ka reaguar lidhur me qëndrimet e Vlen për korridorin 8. Sipas BDI-së, Korridori 8 nuk është produkt i improvizimeve politike ditore. Ai është rezultat i një vizioni të qartë dhe angazhimi të vazhdueshëm të BDI-së, ndërkaq përpjekjet e Vlen për të manipuluar të vërtetën dhe për të përvetësuar merita janë të kota.
Komunikata e plotë e BDI-së:
Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj përpjekjeve të VLEN-it për të rishkruar të vërtetën rreth Korridorit 8, një projekt për të cilin ata kanë pasur qëndrime të paqëndrueshme, kontradiktore dhe thellësisht të dëmshme.
Opinionit publik i kujtohet shumë qartë se përfaqësues të VLEN-it dikur pyesnin publikisht se “kujt do t’i shërbejë ky korridor”, për ta etiketuar më pas, pasi erdhën në pushtet, si “krim epik”. Këto nuk janë interpretime, por deklarata të tyre të regjistruara dhe të njohura për publikun.
Për më tepër, gjatë dy viteve të fundit, në vend që ta avancojnë realizimin e projektit, ata bënë çmos për ta obstruksionuar atë, duke shpikur pengesa të paqena dhe duke tentuar ta devijojnë thelbin e tij, lidhjen strategjike me Republikën e Shqipërisë.
Sot, kur janë kapur në kundërthënie dhe në përpjekje për të manipuluar opinionin publik, të njëjtët aktorë dalin dhe përpiqen të marrin merita për një projekt që jo vetëm nuk e kanë krijuar, por edhe janë munduar ta pengojnë.
Korridori 8 nuk është produkt i improvizimeve politike ditore. Ai është rezultat i një vizioni të qartë dhe angazhimi të vazhdueshëm të BDI-së, në partneritet me faktorët ndërkombëtarë, dhe përfaqëson një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe integrimit euroatlantik të vendit.
Përpjekjet për të manipuluar të vërtetën dhe për të përvetësuar merita janë të kota. Qytetarët e dinë shumë mirë kush e ka nisur këtë projekt, kush e ka shtyrë përpara dhe kush ka tentuar ta ndalë.
BDI mbetet e përkushtuar që Korridori 8 të realizohet në tërësinë e tij, pa devijime dhe pa kalkulime të ngushta politike, në interes të qytetarëve dhe të ardhmes evropiane të vendit.