BDI: Të ndalen punimet në objektin e destinuar për kazino pranë varrezave në Bllacë
BDI ka kërkuar sqarime nga qeveria lidhur me ndërtimin e një objekti në afërsi të varrezave në Bllacë, për të cilin pretendojnë se i përket një kompanie të lojërave të fatit.
BDI shtron pyetje se pse është tërhequr ligji me të cilin ekzekutivi kishte premtuar zhvendosjen e lojërave të fatit larg shkollave dhe zonave të ndjeshme.
Sipas kësaj partie, nëse konfirmohet se objekti në ndërtim është i destinuar për veprimtari të lojërave të fatit, atëherë, siç thonë ata, bëhet fjalë për një vendim të papërgjegjshëm dhe të papranueshëm ndaj ndjeshmërisë së qytetarëve.
BDI kërkon publikimin e destinimit të saktë të objektit dhe të gjithë dokumentacionit përkatës, ndalimin e përkohshëm të punimeve deri në sqarimin e rastit, si dhe hetim mbi mënyrën se si është lejuar kjo veprimtari në atë lokacion.
Po ashtu, nga kjo parti kërkohet respektimi i vullnetit dhe ndjeshmërisë së banorëve të zonës, duke ngritur edhe çështjen e tërheqjes së ligjit për distancimin e lojërave të fatit nga shkollat dhe zonat e ndjeshme.