
Emiliano Martinez: Më mungon edhe fitorja në Olimpiadën e Parisit
Portieri i kombëtares së Argjentinës, Emiliano Martinez, kampion bote në Katar, është i hapur për të garuar për vendin e tij në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Kombëtaret U-23 të kualifikuara do të kenë mundësinë e inkorporimit të 3 lojtarëve mbi këtë moshë.
Trajneri Havier Maskerano do të donte Lionel Messi dhe Anhel Di Maria me të, por ata end enuk kanë kthyer një përgjigje. Ai që del hapur dhe shpreh gadishmërinë për të luajtur në Olimpiadë.
“Nëse ka diçka që më mungon me ekipin kombëtar është fitorja e Olimpiadës” tha portieri i Aston Villa.
Ai sqaron se nuk dëshiron t’i vjedhë hapësirë askujt.
“Lojtarët e rinj gjithmonë kanë nevojë për një shans dhe nëse bëjmë mirë në Kopa Amerika dhe e fitojmë atë, duhet t’u lëmë hapësirë djemve“.
Lojërat e Parisit do të zhvillohen midis 26 korrikut dhe 11 gushtit, por më parë Martinez do të jetë i zënë me Argjentinën në Kopa Amerika nga 20 qershori deri më 14 korrik. Prandaj duket jashtëzakonisht e ndërlikuar që Aston Villa t’i japë “OK” lojtarit të saj për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike.