(VIDEO) Ali Ahmeti rikujton “Goce Delçevin me plis të bardhë”
Debatit për përkatësinë e figurës historike të Goce Dellçevit i është shtuar një element i ri. Përderisa mosmarrëveshjet midis popullit maqedonas dhe atij bullgar, rreth asaj se cilit i takon kjo figurë po thellohen gjithnjë e më shumë, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti i është rikthyer tezës së tij se, Dellçevi mbante plis të bardhë, që është pjesë e veshjeve tradicionale shqiptare.
Duke përkujtuar përvjetorin e vdekjes së tij, Ahmeti në një shkrim të postuar në Facebook ka publikuar një shkrim të cilit ia ka bashkangjitur një fotografi për të cilën pretendon se aty shfaqet Dellçevi me plis të bardhë, ndërsa ka ndarë edhe një shkëputje të përshkrimit të figurës së Dellçevit nga ana e biografit të tij, Pejo Javorov.
Ali Ahmeti, Lider i BDI-së
“Plisi i bardhë arnaut me shall të zi, i mbështjellë përreth, e mbulonte jo aq shumë kokën. Palltoja e përhimtë prej shajaku, tyrqet e përhimta prej shajaku dhe çashiret me ngjyrë arre të përveshura deri në gjunjë në opingat e shtrënguara – i shquante format e drejta të një figure mesatare. Qepeja e përhimtë e mbyllur, e veshur vetëm në krahun e majtë, gjysmë e ngjeshur dhe e tërhequr deri në gjysmë në të djathtë, i jepte veçmas bukuri hyjnore gjithë shfaqjes së krenarisë. Me kamë, revolver dhe brezoren me fishekë në bel, me maliherin e hedhur mbi sup, Gocja i ngjante një perëndie kaçake”.
Ahmeti ka thënë se, Dellçevi ishte revolucionar i njohur, jeta dhe vepra e të cilit do të duhej të ishte mësim edhe për klasën e sotme politike: “Unë e kuptoj botën si një garë të kulturuar mes popujve” – ishte deviza e tij. Kjo nuk është hera e parë që Ahmeti bën pretendime të këtilla. Në vitin 2020, gjatë një tubimi partiak, pat deklaruar se Dellçevi bashkëpunonte me patriotët shqiptarë dhe mbante fjalim para tyre me plis të bardhë.
Kujtojmë se, Goce Dellçev konsiderohet si një ndër heronjtë më të mëdhenjë të kombit maqedonas. Ai ka marrë pjesë në lëvizjen maqedonas revolucionare, ndërsa mbetet udhëheqësi më i shquar i Organizatës Revolucionare Maqedonase, të cilën VMRO – DPMNE-ja e sotme, e konsideron si paraardhëse ideologjike të saj. Në historinë e sotme të Maqedonisë, Dellçevi konsiderohet si apostull dhe zemra e Maqedonisë revolucionare, ideolog, organizator dhe udhëheqës i lëvizjes revolucionare maqedonase nacionalçlirimtare në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të.
Nga ana tjetër, edhe Bullgaria e konsideron Dellçevin si një figurë të rëndësishme revolucionare bullgare dhe pikërisht mosmarrëveshjet rreth figurës së tij, kanë krijuar kontest mes dy shteteve, i cili ka bllokuar rrugën evropiane të vendit.
Teuta Buçi /SHENJA/