(VIDEO) Kryeministri Mickoski paralajmëron zgjedhje të shpejta parlamentare
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke reaguar ndaj deklaratave të djeshme të liderit të opozitës maqedonase, Venko Filipçe në lidhje me mosmarrëveshjet me Bullgarinë tha se, i vjen keq që Filipçe dhe LSDM-ja vendosën të gjunjëzohen para interesave të huaja, në vend që të mbrojnë interesat kombëtare.
Hristijan Mickoski, Kryeminsitër
“Supozoj se kryetari i LSDM-së ende po i shijon ato festa në Dubai, nën përshtypjen e muzikës së një autori dhe këngëtari serb të muzikës folk. Dhe i mahnitur nga e gjithë kjo, madje edhe i verbuar, nuk arrin as të shohë, as të dëgjojë atë që po ndodh nga viti 2022 e këtej. Përkatësisht, nga momenti kur Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së e pranoi atë kapitullim historik, me të cilin tregoi dhe dëshmoi edhe një herë se është butaku i identitetit maqedonas dhe kjo nuk do të mbetet ashtu siç ata mendojnë se do të mbetet”.
Kryeministri më tej parashikoi se pas zgjedhjeve të ardhshme, të cilat sipas tij do të mbahen së shpejti, LSDM-ja do të dobësohet edhe më shumë.
Hristijan Mickoski, Kryeminsitër
“Por lajmi i mirë është se së shpejti do të ketë zgjedhje, pas atyre zgjedhjeve do të ndodhë që partia që ai e udhëheq të margjinalizohet. Dhe unë shpresoj që edhe ai edhe të tillët si ai, përgjithmonë të zhduken nga politika dhe të vijnë njerëz që e duan dhe e çmojnë atdheun e tyre, që janë patriotë të vërtetë dhe që do të luftojnë për këtë shtet së bashku me këtë Qeveri dhe me mua”.
Kujtojmë se, Filipçe të hënën akuzoi Mickoskin se krijon miq artificial që të mos i bëjë ndryshimet e nevojshme kushtetuese. Ai tha se, ndryshimet kushtetuese nuk rrezikojnë identitetin maqedonas siç pretendon VMRO-ja, por sipas tij, arsyeja e vërtetë pse qeveria nuk dëshiron t’i zbatojë ato, është sepse nuk dëshiron që vendi të ecë përpara në Evropë.
Teuta Buçi /SHENJA/