Hill: Evropa e do Ballkanin, por nuk i do problemet ballkanase
Ish ambasadori amerikan, Kristofer Hill i cili sot foli në panelin Leading in the Hot Seat: Decisions That Shape Economies të Samitit Maqedonia2026, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të liderëve të vedeve të Ballkanit, por dhe përmendi shprehjen “Mendo globalisht, vepro lokalisht”. Poenta kryesore e panelit ishte se lidershipi testohet në momente presioni, ndërsa vendimmarrja përcakton si ekonomitë ashtu edhe industritë.
“Absolutisht thelbësore për liderët është të kuptojnë rëndësinë e punës së përbashkët me liderë të tjerë”, theksoi Hill, i cili tha se do të ishte më së miri nëse vendet e Ballkanit do të vinin në një pozicion në Bashkimin Evropian për të punuar bashkë.
Sipas tij, nevojitet bashkëpunim më i madh mes vendeve dhe liderëve në rajon.
“Evropa e do Ballkanin, por nuk i do problemet e Ballkanit”, tha Hill duke theksuar se një propozim atraktiv është që shqiptarët, serbët, maqedonasit… të punojnë së bashku dhe se kjo do të ishte një treg i madh. Ai vlerëson se, nëse vendet e Ballkanit bashkëpunojnë, do të kenë shumë më tepër përparim.
Në të njëjtin panel foli edhe biznesmeni Svetozar Janevski, pronar i kompanisë Tikvesh, i cili, ndër të tjera, tregoi për periudhën kur e kishte marrë përsipër kompaninë Tikvesh dhe si e kishte zhvilluar biznesin.
Sipas Janevskit, është e nevojshme që qytetarët, pavarësisht nëse janë maqedonas apo shqiptarë, ta ndërtojnë dhe zhvillojnë vendin së bashku, të krijohet një komb i vetëm. “Kjo ende nuk është e kuptueshme për disa. Kryesorja është si të pajtohemi dhe si të jemi bashkë”, tha ai.