(VIDEO) Kos: Viti 2026 mund të jetë viti i Kosovës
Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, gjatë vizitës së saj në Prishtinë, i ka bërë thirrje faktorit politikë në Kosovë të gjejnë një mënyrë për ta rikthyer stabilitetin institucional dhe të formojë institucione të qëndrueshme, në mënyrë që vendi të ecë përpara drejt bllokut evropian.
Kos pas takimit me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, tha se viti 2026 mund të jetë vit i Kosovës në raport me avancimin drejt Bashkimit Evropian, duke shtuar se, Kosova ka rol të rëndësishëm edhe në aspektin e sigurisë në Evropë.
Marta Kos, eurokomesare për zgjerim
“Thirrja ime shumë e qartë në këtë udhëtim është gjithashtu t’u kërkoj të gjithë aktorëve politikë këtu që të gjejnë një mënyrë për të rikthyer stabilitetin në administratën publike, në Kosovë. Do të ishte mirë që të keni funksionim stabil institucional, dhe siç e shihni, në Bruksel, viti 2026 mund të jetë viti i Kosovës, nëse do ta bëni këtë edhe një herë. Dhe i kam premtuar z. Kurti që sapo t’i keni të gjitha institucionet pas zgjedhjeve, do të kthehem. Dhe atëherë do të diskutojmë shumë, shumë tema të rëndësishme për Kosovën, por edhe të rëndësishme për Bashkimin Evropian”.
Ndërkaq, Kurti ka kërkuar që Bashkimi Evropian ta avancojë Kosovën në procesin e integrimit dhe të lëvizë drejt dhënies së statusit kandidat dhe hapjes së negociatave, duke thënë se Kosova nuk po kërkon “rrugë të shkurtra” por vetëm “proces meritor”.
Albin Kurti, kryeministër në detyrë i Kosovës
“Janë bërë mbi 40 muaj që kur kemi aplikuar dhe momenti i ripërtërirë i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të reflektojë me avancimin e merituar të Kosovës. Mbështetja publike për Bashkimin Evropian për anëtarësim në BE qëndron vazhdimisht rreth 90% në vendin tonë dhe është ndër më të lartat nga të gjitha vendet kandidate. Jemi të vetëdijshëm për sfidat që ekzistojnë por kërkohet unitet në angazhim. Gjetja e unitetit brenda Bashkimit Evropian për të marrë vendime karshi Kosovës është detyrë e përbashkët”.
Kurti shtoi se Kosovës i duhet njohje nga Bashkimi Evropian për progresin e arritur në demokraci, ekonomi dhe sundim të ligjit. /SHENJA/