(VIDEO) Gjeorgjievski: 100 mijë banorë përfitojnë nga zgjerimi i bulevardit “Boris Trajkovski”
Kryetari i Qytetit të Shkupit Orce Gjorgjievski ka bërë të ditur se është duke vazhduar përfundimi i bulevardit “Boris Trajkovski”, një nga projektet siç thotë, më të rëndësishme infrastrukturore për lidhjen më të mirë rrugore dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve në Draçevë dhe vendbanimet përreth në komunën e Kisella Vodës. Sipas tij, punimet po zhvillohen me ritëm të përshpejtuar dhe projekti mund të përfundojë edhe më herët se afati i paraparë.
Ai theksoi se pas tri dekadash pritjeje, realizimi i këtij bulevardi më në fund po bëhet realitet për qytetarët e Draçevës, Zelenikovës dhe Studeniçanit, duke përmendur se rreth 100 mijë banorë do të përfitojnë nga kjo rrugë.
ORCE GJEORGJIEVSKI, KRYETAR I QYTETIT TË SHKUPIT
“Jemi në pjesën e trasesë që po përfundohet aktualisht, rreth një kilometër, ku për vite me radhë qytetarët kishin humbur besimin se do të realizohej. Për 30 vjet nuk kishte zgjidhje konkrete nga autoritetet e Qytetit për një qasje të lirë dhe të sigurt për banorët e këtij rajoni”.
Sipas të parit të Shkupit, tashmë dy javë po punohet intensivisht dhe 88 për qind e trasës është hapur. Ai shtoi se pjesa e mbetur, ku ndodhen tre deri në katër objekte, pritet të zgjidhet brenda dhjetë ditëve të ardhshme, pas çka do të nisë realizimi i plotë i bulevardit.
ORCE GJEORGJIEVSKI, KRYETAR I QYTETIT TË SHKUPIT
“Projekti përfshin ndërtimin e kanalizimit atmosferik, shtigjeve për këmbësorë dhe biçikleta, si dhe një rrugë më të sigurt, pasi kjo zonë më herët konsiderohej një nga pikat më problematike të trafikut në Shkup”.
Pas përfundimit të punimeve bazë, do të vendosen dy shtresa asfalti, ndërsa më pas edhe shtresa përfundimtare në segmentin nga rrethrrotullimi te hyrja e Draçevës deri në Pintija, në gjatësi prej rreth dy kilometrash. Vlera totale e investimit për këtë segment arrin në rreth dy milionë euro.
Ndërkohë, afati zyrtar për përfundimin e projektit është deri në Vitin e Ri, por Gjorgjievski tha se, nëse vazhdon ky ritëm pune, bulevardi mund të përfundojë shumë më herët.
Samir Mustafa /SHENJA/