MPB: Shtatë shoferë të arrestuar për shkelje të rënda në komunikacion
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë privuar nga liria shtatë shoferë në territorin e vendit për drejtim të pakujdesshëm të automjeteve dhe shkelje të rënda të rregullave në komunikacion.
Sipas MPB-së, pesë prej shoferëve kanë drejtuar automjet pa poseduar patentë shoferi, një shofer është kapur duke vozitur me shpejtësi më të madhe se ajo e lejuar, ndërsa një tjetër ka drejtuar automjetin edhe pse kishte ndalim aktiv për drejtim dhe ishte nën ndikimin e alkoolit.
“Dy shoferë në Prilep dhe nga një në Shkup, Gostivar dhe Gjevgjeli kanë drejtuar automjet pa patentë shoferi. Një shofer në Gjevgjeli është ndaluar për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, ndërsa një shofer në Ohër ka drejtuar automjetin me ndalim aktiv dhe nën ndikimin e alkoolit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Nga Ministria bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rasteve do të parashtrohen kallëzime përkatëse penale ndaj personave të përfshirë.
MPB u bëri apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, të mos drejtojnë automjet pa patentë shoferi, nëse kanë masë ndalimi për drejtim apo nëse janë nën ndikimin e alkoolit, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion.