BDI vazhdon të zbulojë pasurinë e fshehur të Nedim Ramës, dorës së djathtë të Izet Mexhitit. Për rikujtim, edhe pse ka obligim ligjor, ai nuk ka deklaruar asnjë pasuri në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Në rastin e sotëm zbulojmë se deri vonë, Nedim Rama bashkë me Xhelal Zendelin kanë qenë pronarë të kompanisë HOSTMK LTD DOO Shkup, e cila merret me shërbime IT dhe hostim të faqeve të internetit.
Ndër vite, kjo kompani ka marrë dhjetëra pagesa nga shkolla, institucione kombëtare dhe komuna për mirëmbajtjen e faqeve të tyre të internetit.
Por, imagjinoni arrogancën. Në korrik të vitit 2023, derisa Nedim Rama ishte i punësuar në Komunën e Çairit, kompania e tij HOSTMK LTD DOO Shkup ka marrë pagesë prej 70.446 denarësh pikërisht nga e njëjta komunë!
Të dhënat tregojnë se Nedim Rama ka realizuar të ardhura përmes kësaj kompanie edhe derisa ishte drejtor i NOMAGAS-it. Ndërkohë, në Antikorrupsion nuk ka deklaruar asnjë pasuri.
Tani, Nedim Rama po përpiqet pa sukses të fshehë gjurmët e pasurisë së padeklaruar dhe të parave të fituara ndër vite.
Dokumentet nga Regjistri Qendror tregojnë se Rama dhe Zendeli në fillim të prillit kanë dorëzuar kërkesë për ndryshimin e emrit të kompanisë dhe fshirjen e pronësisë së tyre.
Kërkesa është miratuar më 4 maj dhe prej atëherë HOSTMK LTD DOO Shkup e ka ndryshuar emrin në DRIVE RENT DOO SHKUP. Që atëherë, pronar dhe menaxher i vetëm i kompanisë është bërë Sunaj Aziri, i cili sipas informatave të BDI-së është person nga rrethi i afërt i Izet Mexhitit. Kompania vazhdon të mbetet në të njëjtën adresë që më parë figuronte nga pronarët Nedim Rama dhe Zendeli.
Me siguri po pyesni pse një kompani IT do ta ndryshonte emrin në DRIVE RENT, emër që logjikisht lidhet me dhënien me qira të automjeteve? Ja, e ftojmë Nedim Ramën të japë përgjigje!
I bëjmë thirrje KShPK-së dhe institucioneve kompetente që menjëherë të hapin procedurë për këtë konflikt evident interesi dhe fshehje të pasurisë. Nedim Rama duhet të mbajë përgjegjësi penale dhe morale për çdo denar të paguar nga xhepi i qytetarëve!