(VIDEO) VMRO: Në agjendën e reformave jemi para Shqipërisë dhe Malit të Zi
Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, ka deklaruar se Maqedonia ndodhet përballë një momenti shumë të rëndësishëm për të ardhmen e saj, në një periudhë kur Bashkimi Evropian ka rihapur procesin e zgjerimit si prioritet të lartë gjeostrategjik. Kuzeska ka paralajmëruar se vendet e rajonit si Mali i zi dhe Shqipëria tashmë po shënojnë përparim serioz dhe tha se, nëse e humbim këtë mundësi për anëtarësim në BE, rrezikojmë të mbetemi një “qorrsokak” i Ballkanit.
BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË
“Nëse nuk hipim në këtë tren evropian tani, është e mundur që dyert të mbyllen për dekada. Nëse mbetemi jashtë procesit, nuk do të jemi pjesë e kornizave të reja buxhetore evropiane, nuk do të kemi qasje në fondet zhvillimore dhe do të vazhdojmë të zhytemi në varfëri dhe pasiguri”.
Kuzeska njoftoi se Kryetari i LSDM-së, Venko Filipce, i ka bërë thirrje Kryeministrit Hristijan Mickoski për përgjegjësi shtetërore, me qëllim që së bashku t’i votojnë ndryshimet kushtetuese dhe se janë të gatshëm ta ndajnë plotësisht përgjegjësinë për këtë proces.
Ndërkaq Bojan Stojanoski, deputet i VMRO-DPMNE-së, theksoi se Maqedonia e Veriut, është më e avancuara në Agjendën Reformuese, me shumën më të madhe të mjeteve të ndara nga Bashkimi Evropian në vlerë prej 65.7 milionë eurosh.
BOJAN STOJANOSKI, DEPUTET I VMRO-DMPNE-së
“Çdo tezë e paraqitur nga Venko Filipce po shembet si një kështjellë letre. Çdo gënjeshtër e Filipçes po shpërthen si flluskë sapuni. Maqedonia do të jetë lider në përmbushjen e Agjendës Reformuese dhe me këtë do të shfrytëzohen edhe mjetet që janë paraparë sipas planit të rritjes.”
Stojanoski tha se Maqedonia deri në muajin qershor do ta dyfishojë shumën dhe përsëri do të jetë e para në përmbushjen e Agjendës Reformuese. /SHENJA/