ISHP: Është regjistruar rasti i parë i etheve të Nilit Perëndimor në Maqedoni
Në Maqedoni është regjistruar rasti i parë i etheve të Nilit Perëndimor për këtë vit. Bëhet fjalë për një burrë 55-vjeçar nga Velesi, i cili kishte temperaturë të lartë, skuqje në lëkurë, lodhje dhe probleme me vetëdijen. Ai u shtrua në Klinikën për Sëmundje Infektive, ku analizat konfirmuan virusin “West Nile”. Gjendja e tij tani është më e mirë dhe po mbahet nën kujdes mjekësor.
Autoritetet thanë se personi nuk kishte udhëtuar jashtë vendit dhe nuk kishte pasur kontakte me persona të sëmurë.
Kjo sëmundje përhapet kryesisht nga pickimi i mushkonjave të infektuara. Shumica e njerëzve nuk kanë simptoma, por disa mund të kenë temperaturë, dhimbje koke, skuqje në lëkurë, dhimbje muskujsh dhe lodhje. Në raste të rralla, mund të shkaktojë probleme serioze në tru ose paralizë.
Nuk ka vaksinë apo trajtim specifik për këtë virus, ndaj mjekët rekomandojnë mbrojtje nga mushkonjat. Këshillohet përdorimi i sprejve kundër mushkonjave, veshja me rroba të gjata, vendosja e rrjetave në dritare dhe shmangia e qëndrimit jashtë në mëngjes herët dhe në mbrëmje.
Prindërit këshillohen të mbrojnë veçanërisht fëmijët dhe të largojnë ujin e ndenjur nga oborret dhe vendet ku mushkonjat mund të shumohen.
Mjekët apelojnë që qytetarët të kërkojnë ndihmë nëse pas pickimit nga mushkonja kanë temperaturë të lartë, dhimbje koke, skuqje ose probleme neurologjike.