Propozohet paraburgim për 76-vjeçarin nga Kosova pas aksidentit tragjik në qarkoren e Shkupit
Prokuroria në Shkup ka kërkuar paraburgim për një 76-vjeçar nga Kosova, i dyshuar për një aksident të rëndë trafiku në qarkoren Radishan–Mirkovc.
Sipas hetimeve, ai po drejtonte një kamion kur humbi kontrollin, doli në korsinë e kundërt dhe u përplas me një veturë BMW. Pas përplasjes, të dy automjetet morën flakë.
Në aksident humbën jetën katër persona që ndodheshin në veturë.
Prokuroria thotë se ka rrezik që i dyshuari të arratiset ose të përsërisë veprën, prandaj ka kërkuar që të mbahet në paraburgim. Vendimi për paraburgimin pritet të merret nga gjykata në ditët në vijim. Hetimet për rastin po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit.