Nikolloski: Me ndryshime ligjore stimulojmë ndërtimin e qendrave të të dhënave në Maqedoni
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, ka njoftuar se janë në fazën përfundimtare ndryshimet në Ligjin për Planifikim Urbanistik dhe Ligjin për Ndërtim, të cilat do të mundësojnë ndërtimin e qendrave të të dhënave në vend.
Sipas tij, këto ndryshime synojnë të tërheqin investime të reja, të hapin vende pune dhe të ndikojnë në rritjen e ekonomisë së vendit.
Nikolloski theksoi se zhvillimi i inteligjencës artificiale në botë po rrit nevojën për data qendra, të cilat janë infrastruktura kryesore për funksionimin e saj.
Ai bëri të ditur se Qeveria planifikon ta udhëheqë procesin në mënyrë të centralizuar, në mënyrë që investitorët potencialë të kenë të gatshme lokacionet dhe projektet ku mund të investojnë.
“Ky proces mund të sjellë qindra miliona euro investime, vende të reja pune dhe rritje të PBB-së”, deklaroi Nikolloski.
Sipas tij, ndryshimet ligjore tashmë janë në fazën finale dhe pritet të hapin rrugën për ndërtimin e qendrave moderne të të dhënave në Maqedoninë e Veriut.