MPB: 14 shoferë të arrestuar në 24 orë, shumica pa patentë shoferi
Policia ka arrestuar 14 shoferë gjatë 24 orëve të fundit në territorin e gjithë vendit për shkelje të rënda në komunikacion. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, nëntë prej tyre janë kapur duke drejtuar automjet pa patentë shoferi, dy kanë qenë nën ndikimin e alkoolit, ndërsa tre të tjerë kanë vozitur pavarësisht masës aktive të ndalimit për drejtim automjeti.
Nga MPB bëjnë të ditur se tre rastet për drejtim pa leje janë regjistruar në Prilep, ndërsa nga një rast është evidentuar në Zhelinë, Gostivar, Kërçovë, Kumanovë, Shkup dhe Dellçevë. Dy shoferë janë arrestuar për vozitje nën ndikimin e alkoolit në Gjevgjeli dhe Shkup, ndërsa tre persona të tjerë janë ndaluar për shkak të shkeljes së masës aktive të ndalimit për drejtim automjeti në Kërçovë, Kumanovë dhe Veles.
Autoritetet njoftojnë se pas dokumentimit të plotë të rasteve do të ngrihen kallëzime përkatëse penale ndaj personave të përfshirë. Nga MPB apelojnë te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të mos drejtojnë automjete pa patentë shoferi, nën ndikimin e alkoolit apo në kundërshtim me masat ndaluese, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë.