Dy shtetas të Kosovës arrestohen në Demir Kapi për kontrabandim emigrantësh
Dy shtetas të Kosovës janë arrestuar nga autoritetet maqedonase në pikën pagesore Demir Kapi, nën dyshimin për kontrabandim emigrantësh.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), ndaj tyre është ngritur kallëzim penal dhe gjykata u ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Ngjarja ka ndodhur më 26 maj 2026, rreth orës 06:30, në autostradën Gjevgjeli–Negotinë, ku zyrtarë policorë nga Stacioni Policor për Mbikëqyrje Kufitare “Mihajllovë” ndaluan dy automjete me targa të Kosovës.
Bëhet fjalë për një “Volkswagen Transporter”, të drejtuar nga A.G. (42), dhe një “Skoda Octavia”, të drejtuar nga G.G. (39). Gjatë kontrollit, në automjetin “Volkswagen” janë gjetur shtatë migrantë nga Egjipti, ndërsa automjeti tjetër dyshohet se ka shërbyer si pararojë për lëvizjen e tyre.
Për rastin është njoftuar Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ndaj dy të dyshuarve është ngritur kallëzim penal sipas nenit 418-b të Kodit Penal.
Sipas MPB-së, të dy janë dërguar në Institucionin Ndëshkues-Përmirësues Burgu i Shkupit për vuajtjen e paraburgimit, ndërsa migrantët janë vendosur në Qendrën për Azilkërkues në Vizbeg të Shkupit.
