Iu gjeten 350 mijë euro në mur, Ristovski thotë se nuk ndjehet fajtorë
Në gjykatën penale ka nisur gjykimi kundër gjykatësit të suspenduar të Apelit, Gjoko Ristov, pasi në shtëpinë e prindërve të tij në Negotino u gjetën 350 mijë euro të fshehura në mur.
Në fillim të procesit, Ristov deklaroi se nuk ndihet fajtor për veprat penale që i vihen në barrë.
“Nuk ndihem fajtor as për veprën e parë dhe as për të dytën, duke pasur parasysh kualifikimin juridik”, deklaroi Ristov para gjykatës.
Kundër tij është ngritur aktakuzë për 350 mijë euro të padeklaruara dhe të paevidentuara, të cilat ishin gjetur të fshehura në kuzhinën e shtëpisë familjare në Negotinë. Paratë ishin të paketuara në 13 pako të ndara dhe të fshehura në zgavra tullash në murin e një prej dhomave.
Rasti u hap pasi u arrestua ish-avokati i shtetit dhe avokati Fehmo Stafa, i cili ishte kapur duke marrë 50 mijë euro. Gjatë hetimeve ai kishte deklaruar se paratë ishin të destinuara për gjykatësin Ristov, me qëllim ndërmjetësimin për heqjen e një mase paraburgimi.
Prokurorja Iskra Hadxhi Vasileva në fjalën hyrëse theksoi se Prokuroria do të dëshmojë se Ristov e kishte fshehur pasurinë e tij dhe se nuk ekziston mbulim ligjor për mjetet e gjetura.
Ajo tha se bëhet fjalë për një shumë ekuivalente me rreth 450 paga mesatare dhe paralajmëroi se Prokuroria do të dëshmojë edhe veprat penale të pastrimit të parave dhe tregtisë me ndikim.
“Do të dëshmojmë se paratë e gjetura në shtëpinë familjare ishin të tijat dhe të fituara përmes tregtisë me ndikim”, tha prokurorja.
Mbrojtja, e udhëhequr nga avokati Zvonko Davidovic, pretendon se aktakuza nuk ka prova të forta.
“Do të dëshmojmë se muret flasin, ndërsa provat heshtin. Ky është një film hollivudian juridikisht i paqëndrueshëm që luan me emocionet e publikut”, deklaroi Davidoviq.
Ai paralajmëroi se mbrojtja do të dëshmojë se paratë ishin pronë e prindërve të Ristov dhe se pasuria e tyre ishte fituar ligjërisht.
