OKH Merhamet dhe Vizioni-M shpërndanë 7.000 pako “Dhurata Bajrami” për fëmijë në mbarë vendin
Me rastin e Festës së Kurban Bajramit, Organizata Kulturore Humanitare Merhamet në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore Vizioni M realizuan një aktivitet festiv dhe solidarizues, duke shpërndarë 7.000 pako “Dhurata Bajrami” për fëmijë në shumë qytete dhe vendbanime të Maqedonisë së Veriut.
Ky aktivitet u organizua me qëllim që gëzimi i Bajramit të arrijë tek çdo fëmijë, pa dallim etnie, feje apo statusi social. Përmes këtij aksioni, buzëqeshja e festës u shpërnda në çerdhe, shkolla, spitale, qendra për fëmijë me nevoja të veçanta, jetimore, mektebe dhe zona rurale.
Shpërndarja u realizua në Shkup, Tetovë, Gostivar, Kumanovë, Likovë, Prilep, Veles dhe Manastir.
Në Shkup, pako u shpërndanë në çerdhet “Fidani” dhe “Borëbardha”, në Klinikën për sëmundje të fëmijëve, Shtëpinë e Shëndetit, Shtëpinë e fëmijëve pa prindër “11 Tetori”, Shoqatën SOS Vita, shoqatën “Dua Ylberin”, Qendrën “Akabe”, në Çarshi pranë Xhamisë “Murat Pasha”, si dhe tek jetimët e regjistruar në OKH Merhamet. Gjithashtu, shpërndarje pati edhe në Saraj, komunën e Studeniçan dhe në shumë zona rurale përreth.
Në Tetovë, aksioni përfshiu shkollat fillore “Naim Frashëri”, “Hasan Tahsin” dhe “Liria”, Qendrën Dekas, Qendrën e Autizmit “Fluturo për Jetën”, repartin e fëmijëve në Spitalin e Tetovës, si dhe mektebet e Xhamisë Firdeus, Xhepcishtit dhe Zhelinës.
Në Kumanovë dhe Likovë, shpërndarja u realizua në Shoqatën Edukative për fëmijë me nevoja të veçanta “Vlera”, SHFK “Toli Zordumis” – Kumanovë, SHFK “Naim Frashëri” – Kumanovë, në fshatin Hotël, fshatin Mateç, Forumin Rinor “Nakushtak”, në xhamitë e fshatrave të Likovës, si dhe në shoqatat “Gushinca” dhe “Llukara”.
Falënderojmë të gjithë donatorët, vullnetarët dhe bashkëpunëtorët që kontribuan në realizimin e këtij organizimi festiv. Lutemi që kjo festë të sjellë paqe, solidaritet dhe begati për të gjitha familjet.
