Pas arrestimit të Bogoevit, kryeministri paralajmëron arrestime të reja
Kryeministri Hristijan Mickoski ka konfirmuar se po zhvillohet një hetim në të cilin është përfshirë edhe ish-drejtori i Administratës Doganore dhe ish-kryetari i Komunës së Karposhit nga LDSM, Stefan Bogoev. Dhe, sipas Mickoskit, në aksion janë përfshirë edhe disa punonjës të Administratës Doganore dhe një ndërmjetës, përkatësisht një person që ka qenë shumë i afërt me pushtetin e kaluar dhe që, sipas kryeministrit, shpesh ka mundësuar ose lehtësuar veprime të kundërligjshme. Mickoski duke iu referuar informacioneve që posedon, ai tha se aksioni do të zgjerohet edhe më tej.
HRISTIJAN MICKOSKI-KRYEMINISTËR
“Përveç kësaj, disa institucione në periudhën e ardhshme do të ndërmarrin aksione të ngjashme lidhur me parregullsi nga e kaluara, të cilat janë të përfshira në raportet e auditimit dhe paraqesin indicie për keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Mickoski ka theksuar se e gjithë kjo është në nivel hetimi, dhe se, ai beson në prezumimin e pafajësisë, duke shtuar se secili ka mundësinë dhe të drejtën ta dëshmojë pafajësinë e vet. Ditën e djeshme u bë e ditur se në një aksion të Drejtorisë së Policisë Financiare dhe të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit janë ndaluar disa persona nën dyshimin për korrupsion. /SHENJA/
