Kryeministri paralajmëroi uljen e çmimit të energjisë për 5 deri në 10%
Kryeministri Hristijan Mickoski, ka njoftuar se qeveria po përgatit një portofol konsumator për energjinë elektrike, i cili duhet të harmonizohet me EVN Home dhe prodhuesin shtetëror EMV. Ai paralajmëroi se gjatë kësaj ose javës së ardhshme do të mbahet një takim i përbashkët pune, me qëllim që qytetarëve t’u sigurohet një çmim mesatar i energjisë elektrike 5 deri në 10 për qind më i ulët se ai aktual.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Këtë javë ose javën tjetër do të kemi një takim pune, në thelb për mënyrën se si blihet energjia elektrike në treg. Në rastin e furnizuesit universal, shpërndarësi, domethënë furnizuesi i energjisë elektrike EVN Home, publikon një tender në fund të vitit për të gjithë vitin pasardhës. Pra, tani po përgatisim praktikisht të gjithë treguesit në mënyrë që ata të mund të nxjerrin tenderin në fund të vitit dhe të sigurojnë, për vitin e ardhshëm, atë që mund të jetë një nga rastet e pakta, nëse jo i vetmi, në Evropë, ku qytetarët do të përfitonin deri në 5% çmim më të ulët, ndoshta më shumë, ulje të çmimit të energjisë elektrike”.
Ai theksoi se synimi i Qeverisë është që deri në fund të vitit Maqedonia e Veriut për herë të parë të bëhet eksportuese neto e energjisë elektrike. Sipas tij, kompania shtetërore EMV po konsolidohet dhe pas humbjeve prej 150 milionë eurosh të trashëguara nga e kaluara, në gjysmën e parë të këtij viti pritet të regjistrojë fitim prej 6 deri në 7 milionë eurosh.
Duke folur për projektet e energjisë së rinovueshme, Mickoski tha se një pjesë e madhe e tyre tashmë kanë përfunduar, por vlerësoi se në të kaluarën janë realizuar projekte në toka bujqësore me cilësi të lartë. Ai njoftoi se Qeveria ka përgatitur ligj që në të ardhmen nuk do të lejojë ndërtimin e projekteve të tilla në toka të kategorisë së parë deri të katërt, për të mbrojtur prodhimin bujqësor.
Samir Mustafa /SHENJA/