SHB Logos-A sjell botimin më të ri të Milazim Krasniqit: Kombi i rrezikuar nga vetvetja
Në prag të Panairit të Librit në Prishtinë, SHB Logos-A ka prezantuar botimin më të ri të shkrimtarit dhe studiuesit Milazim Krasniqi, me titull “Kombi i rrezikuar nga vetvetja”.
Vepra e botuar trajton çështje që lidhen me identitetin kombëtar, kohezionin shoqëror dhe sfidat me të cilat përballet shoqëria shqiptare në kohët moderne.
Sipas autorit, lëvizje të ndryshme ideologjike që synojnë deislamizimin e Kosovës mund të ndikojnë në dobësimin e kohezionit kombëtar. Krasniqi argumenton se në etapat më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare, nga Lidhja e Prizrenit deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një rol të rëndësishëm kanë pasur familjet shqiptare muslimane, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e respektimit të diversitetit fetar si vlerë kombëtare.
Në libër theksohet gjithashtu nevoja për forcimin e identitetit kombëtar dhe ruajtjen e aleancave strategjike me SHBA-në dhe Turqinë, brenda ombrellës së NATO-s, si garanci për sigurinë dhe stabilitetin e shqiptarëve.
“Kombi i rrezikuar nga vetvetja” u dedikohet studiuesve, opinionistëve, gazetarëve dhe lexuesve të interesuar për debatet mbi identitetin, historinë dhe të ardhmen e kombit shqiptar.
