LSDM: Në dy vjet të qeverisjes së Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së, bujqësia është sjellë në gjendje katastrofike
Nga LSDM thonë se në dy vjet të qeverisjes së Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së, bujqësia është sjellë në një gjendje katastrofike.
Sipas LSDM-së, subvencionet janë ulur me 40 milionë euro.
“Në vend të rritjes së subvencioneve, siç premtonin kur ishin në opozitë, fermerët morën ulje. Subvencionet për bagëtinë janë ulur nga 12.000 në 8.000 denarë për kokë. Mbështetja për duhanin është ulur gjithashtu, nga 100 në 80 denarë për klasën e parë. Një sërë masash që mbështesnin drejtpërdrejt fermerët e vegjël, vreshtarët dhe prodhuesit e orizit janë hequr”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Sipas partisë opozitare, fermerët nuk përballen vetëm me subvencione të reduktuara, por edhe me pagesa të vonuara.
“Mijëra blegtorë, prodhues drithërash, kopshtarë dhe prodhues të tjerë ende presin fondet që u takojnë, ndërsa kostot e prodhimit po rriten çdo ditë. Ndërkohë, blerja nga fermerët e vegjël ka rënë me 46,2 për qind. Ky është një tregues i drejtpërdrejtë i rënies së prodhimit dhe tregtimit të produkteve bujqësore”, thonë nga LSDM.
Ata shtojnë se blegtorët po protestojnë për vonesat në pagesën e subvencioneve dhe për çmimet e ulëta të blerjes së qumështit.
“Qumështoret kanë ulur vazhdimisht çmimet e blerjes, ndërsa Qeveria ka mbetur një vëzhguese e heshtur. Prodhuesit e drithërave po hyjnë në sezonin e korrjes pa një çmim të njohur blerjeje dhe pa subvencione të paguara”, thuhet në reagim.
Më tej, nga LSDM thonë se Qeveria ka anuluar thirrjet për blerjen e traktorëve, makinerive dhe pajisjeve të tjera përmes Programit për Zhvillim Rural.
“Masat që për vite me radhë kanë ndihmuar fermerët të investojnë dhe modernizojnë prodhimin e tyre janë shfuqizuar ose ndërprerë. E gjithë kjo është përkeqësuar nga skandalet serioze të korrupsionit në sektor. Publiku ishte dëshmitar i skandalit me programin IPARD dhe ryshfetin prej 50 mijë eurosh. Prandaj, përgjegjësia politike nuk mund të shmanget dhe LSDM ka ngritur interpelancë për Cvetan Tripunovskin. Është koha që Tripunovski të mbajë përgjegjësi për situatën katastrofike në bujqësi”, thonë nga LSDM.