
Kalzona: Lojtarët duhet të rizbulojnë disa koncepte, por ata janë të fortë
Françesko Kalzona ka thënë fjalët e para si trajner i Napoli-t, në konferencën për mediet në prag të ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Barcelona-s, e vlefshme për takimin e parë të raundit të 1/8-ave.
“Doja të filloja duke falënderuar Federatën Sllovake dhe Presidentin Kovaçiç, sepse më lejoi të kem këtë mundësi për të ardhur te Napoli. Merita u shkon atyre dhe lojtarëve. Falënderoj edhe popullin sllovak, sepse tregoi shumë respekt për mua,” tha në fillim Kallzona.
Ai më tej, duke folur për sulmuesin kryesor të Napolit, Viktor Osimhen, Kalzona theksoi se nigeriani është në super formë.
“Ai u stërvit me ekipin, nuk ishte një seancë shumë e gjatë, por ai u stërvit me shpejtësi të plotë, do të vlerësohet si pjesa tjetër e skuadrës nesër pas seancës së fundit stërvitore,” deklaroi tekniku i Napolit.
Sa i përket ndeshjes ndaj Barcelonës, Kalzona u shpreh se nuk e tremb aspak, pasi sipas tij Napoli është një ekip i fortë.
“Jam i lumtur, që mbërrita në këtë moment adrenaline. Debutimi është i rëndësishëm, ndaj një kundërshtari të fortë. Megjithatë, e gjithë kjo nuk më tremb sepse Napoli është një ekip i fortë. Lojtarët thjesht duhet të rizbulojnë disa koncepte, por ata janë të fortë. Kjo më bën të lumtur,” tha mes tjerash .