
Edhe titulli në Ligën Evropa nuk e shpëton Piolin?!
Sipas mediave italiane, ka vetëm një shans që Stefano Pioli të konfirmohen në krye të Milanit pas këtij sezoni, vetëm nëse fiton Ligën Europa. Milani nuk e ka fituar kurrë këtë trofe dhe nëse e bën Pioli do të rriste kuotat për t’u konfirmuar në krye të Milanit, por dhe kaq mund të mos mjaftojë.
Pioli vërtetoi edhe një herë se e ka të vështirë të menaxhojë ekipin kur luan në dy fronte, për të kjo mbetet “thembra e Akilit”, pika e tij më e dobët, këtë e vërtetojnë edhe shifrat. Edhe në sezonin kur Milan fitoi titullin, gjithçka ndryshoi pasi Milan doli nga Liga e Kampionëve, që nga ai moment nisën një sërish rezultatesh pozitive që sollën titullin në Serie A.
Këtë vit, “kuqezinjtë” janë totalisht jashtë gare për titull, por zona e Ligës së Kampionëve duket e sigurt. Nëse fitojnë Ligën Europa, do të kualifikoheshin automatikisht në Ligën e Kampionëve, por sërish as kaq me sa duket nuk mjafton. Milani është një klub i madh që e ka për detyrë të luftojë në shumë fronte, për këtë arsye nga këtu e deri në përfundim të këtij sezoni, Pioli mbetet nën provim.