Muaji i Çamërisë shënohet me aktivitet artistik në Çarshinë e Shkupit
Mes penelave që vizatonin kujtesën, dhe nën tingujt e muzikës që shoqëronte artistët gjatë pikturimit, Çarshia e Shkupit u bë skenë e një mbrëmjeje kushtuar Çamërisë. Përmes artit dhe simbolikës, pjesëmarrësit sollën pranë qytetarëve copëza historie, kulture dhe identiteti Çam, në një aktivitet të organizuar nga Shoqata Kulturore “Vizioni M” në kuadër të Muajit të Çamërisë. Kolonia artistike me motive Çame e cila paraqiti mesazhe kujtese, respekti dhe vazhdimësie të historisë për brezat që vijnë, poashtu mblodhi qytetarë të shumtë si dhe tërhoqi edhe interesin e turistëve.
Ndërkaq artisti Elbuhar Kamberi i cili ishte pjesë e kolonisë artistike, tha se pikturat e punuara paraqesin mënyrën se si një grup artistësh e manifestojnë solidaritetin e tyre me viktimat e gjenocidit, dhe se simbolizojnë solidarizim me shqipëtarët e Çamërisë.
Elbuhar Kamberi, artist
“Muaji Çam tash e disa vite organizohet këtu në qytetin e Shkupit dhe është një formë përkujtimore ndaj gjenocidit që është kryer mbi shqipëtarët e Çamërisë. Simbolizon, solidarizim me shqipëtarët e Çamërisë dhe është mënyra se si një grup artistësh e manifestojnë solidaritetin e tyre me viktimat e gjenocidit. Dhimbjen që e kanë përjetu, vuajtjet të cilat i kanë përjetuar edhe gjithë përipecitë e shqipëtarëve të Çamërisë”.
Ndërkaq edhe njëra nga pjesëmarrëset, Erza Jakupi, u shpreh se përmes pikturës së saj ka zgjedhur të paraqesë historinë Çame, duke e simbolizuar atë me trëndafilin si shenjë të kujtesës dhe mënyrës se si shqiptarët kanë arritur të lulëzojnë sërish.
Erza Jakupi, artiste
“Sot ndjehem shumë e lumtur që jam pjesë e këtij aktiviteti që po mbahet këtu në këtë ditë kaq të rëndësishme duke e përkujtuar gjenocidin 82 vjeçar të Çamërisë. Në pikturë vendosa të paraqes, që shqipëtarët edhe pse kanë përjetuar shumë sfida të rënda, përsëri kanë aritur të ngrihen në këmbë më të fortë se kurrë edhe të lulëzojnë si një lule, në këtë rast lulja e përfaqëson lulëzimin e shqipëtarëve”.
Teksa ngjyrat në tabllo morën formën e kujtesës dhe mbrëmja kushtuar Çamërisë erdhi drejt fundit, qielli i Shkupit u mbush me balona simbolik. Në shenjë nderimi për 82-vjetorin e gjenocidit Çam, u lëshuan 82 balona, si një kujtesë e heshtur për jetët e humbura dhe historinë që vazhdon të mbahet gjallë përmes përkujtimit, ndërsa, përmes artit dhe simbolikës, pjesëmarrësit përcollën mesazhin e vazhdimësisë së kujtesës ndër breza.
Anida Murati /SHENJA/