VLEN: Për 24 muaj punuam më shumë se BDI për 24 vjet
VLEN vlerëson se Marrëveshja e Ohrit është arritje e të gjithë shqiptarëve dhe jo pronë e një partie politike. Në një reagim publik, Mustafa Dauti nga kjo parti, ka kritikuar qeverisjen 24-vjeçare të BDI-së, duke thënë se gjatë kësaj periudhe nuk u realizuan plotësisht proceset kyçe që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, përfshirë decentralizimin dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, ndërsa ka lavdëruar 2 vite qeverisje të VLEN-it. Sipas Dautit, për vite me radhë qytetarët kanë dëgjuar premtime për projekte infrastrukturore, si autostrada Shkup–Bllacë, por pa rezultate konkrete në terren. Ai theksoi se në dy vitet e fundit, që nga ardhja e VLEN-it në qeveri, janë ndërmarrë hapa konkretë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe zhvillimin e komunave. Sipas tij, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat po shndërrohet në zgjidhje ligjore, ndërsa përmes Planit Operativ për Punësim janë krijuar mundësi të reja për të rinjtë dhe vetëpunësimin.
MUSTAFA DAUTI, VLEN
“Për 24 muaj, prej kur VLEN mori besimin e shqiptarëve për t’i përfaqësuar dhe sot, kur shënojmë dy vite nga ky besim, kemi hapur procese që BDI nuk i hapi për dy dekada. Për 24 muaj, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat më në fund po bëhet ligj. Po e avancojmë Marrëveshjen e Ohrit. Për 24 muaj, përmes Planit Operativ për Punësim, një aset i çmuar i qeverisjes së VLEN-it, po hapim mundësi për punësim, vetëpunësim dhe mbështetje të të rinjve, që ta ndalim hovin e shpërnguljeve. Për 24 muaj, autostrada Shkup–Bllacë nga gjendja vendnumëro po hyn në fazë realizimi dhe zhbllokimi”.
Si sukses të madh, Dauti përmendi edhe sigurimin e 100 milionë eurove për më shumë se 1.200 projekte komunale. Ai shtoi se gjatë kësaj periudhe janë zgjidhur edhe çështje në arsim, përfshirë statusin e medresantëve, zyrtarizimin e tre fakulteteve dhe investimet në Universitetin Nënë Tereza.
Samir Mustafa /SHENJA/