ASH: Komuna e Çairit merr borxh për të paguar borxhet
Këshilli Komunal i Komunës së Çairit ka miratuar fillimin e procedurës për marrjen e një kredie afatgjatë prej 120 milionë denarësh, ose rreth dy milionë euro. Aleanca për Shqiptarët vlerëson se këto para nuk merren për projekte të reja, parkingje, gjelbërim apo investime kapitale, por për shlyerjen e borxheve ekzistuese. Arlinda Shllaku nga kjo parti kërkoi që udhëheqësia e Komunës të tregojë se për çfarë borxhesh merret kredia.
ARLINDA SHLLAKU, ALEANCA PËR SHQIPTARËT
“Vetëm para gjashtë muajsh qytetarëve iu premtua zhvillim. Sot u ofrohet borxh i ri për të mbuluar borxhe të vjetra. Kjo nuk është qeverisje e përgjegjshme, por pranim publik i krizës financiare në komunë. Kërkojmë nga udhëheqësia e Komunës së Çairit të bëjë publike menjëherë për cilat borxhe merret kjo kredi, cilat detyrime do të shlyhen dhe kush mban përgjegjësi”.
Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Entit Shtetëror për Revizion, që të kontrollojnë furnizimet publike, kontratat dhe menaxhimin financiar të Komunës së Çairit, pasi qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse po paguajnë obligime të rregullta apo pasojat e keqmenaxhimit, punësimeve partiake dhe kontratave të dyshimta.
Zebushe Ramadani /SHENJA/