Aziri: Mërgatës duhet t’I mundësohet votimi edhe në zgjedhjet lokale
Deputeti i Lidhjes Shqiptare, Elmi Aziri, deklaroi se partia e tij do të insistojë që në ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor të përfshihet votimi elektronik i diasporës në të gjitha proceset zgjedhore, përfshirë edhe zgjedhjet lokale.
Në një intervistë në emisionin Impakt, Aziri tha se Lidhja Shqiptare ka propozuar që mërgatës t’i mundësohet votimi elektronik në zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe lokale, duke e cilësuar këtë si një të drejtë kushtetuese të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit. Megjithatë, propozimet e kësaj partie nuk janë pranuar në grupin e punës në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
“Ka një rezistencë sa i takon votimit të diasporës në formë elektronike edhe për zgjedhjet lokale. Ezkiston ujdia që të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, megjithatë propozimi dhe insistimi ynë është që të votojnë në formë elektronike edhe në zgjedhjet lokale, sepse ato kanë investime këtu. Nuk ka argumentime, nuk ka shpjegime në kuadër të komitetit, komisionit që po bëjmë diskutime, po ne si parti politike do t’i shfrytëzojmë mundësitë e tona që i jep rregullorja e kuvendit dhe nëse është e nevojshme të bllokojmë edhe këtë ligj nëse nuk përfillet e drejta e mërgatës për të votuar edhe në zgjedhjet lokale”, tha Aziri.