Largohet kioska “Ali Tobacco” pranë Bit Pazarit, pritet vendimi për fatin e vendkalimit ilegal
Konstruksioni i kioskës “Ali Tobacco”, e cila ndodhej pranë vendkalimit ilegal për këmbësorë në zonën e Bit Pazarit në Shkup, është larguar nga lokacioni ku për vite me radhë zinte një pjesë të trotuarit dhe hapësirës publike.
Sipas informacioneve, kioska nuk është mbyllur, por është zhvendosur në një lokacion tjetër në afërsi, duke vazhduar aktivitetin e saj.
Largimi i kioskës vjen në kohën kur autoritetet e Qytetit të Shkupit kanë paralajmëruar masa për lirimin e hapësirave publike dhe rritjen e sigurisë në këtë zonë. Kryetari i Qytetit, Orce Gjorgjievski, ka bërë të ditur më herët se kioska do të hiqej për shkak se ishte vendosur mbi trotuar dhe pengonte lëvizjen e këmbësorëve.
Ndërkohë, ende nuk është marrë një vendim përfundimtar për vendkalimin ilegal të këmbësorëve pranë Bit Pazarit, i cili prej vitesh përdoret nga qytetarët, pavarësisht se nuk është i shënuar zyrtarisht. Autoritetet kanë paralajmëruar se çështja do të diskutohet më tej, me opsione që përfshijnë mbylljen e vendkalimit ilegal dhe gjetjen e një zgjidhjeje të re për qarkullimin e këmbësorëve, duke pasur parasysh debatet rreth urës ekzistuese për këmbësorë, e cila prej kohësh nuk është funksionale.