Kallëzim penal ndaj tetë personave për moskryerje të mbikëqyrjes inspektuese ndaj lokalit “Pulse” në Koçan
Në Prokurorinë Themelore Publike në Koçan është dorëzuar kallëzim penal ndaj tetë personave, të dyshuar për veprën penale “punë e pandërgjegjshme në shërbim”.
Të kallëzuarit janë S. Sh. S. (53) nga Makedonski Brod, S. Gj. (59) nga Shkupi, si dhe Z. M. (64), S. Z. (61), T. K. (42), N. D. (43), G. P. (41) dhe M. Z. S. (44), të gjithë nga Koçani.
Sipas policisë, në periudhën nga viti 2022 deri më 16 mars 2025, të dyshuarit, në cilësinë e personave zyrtarë në Inspektoratin Shtetëror të Punës, nuk kanë ndërmarrë mbikëqyrje inspektuese ndaj objektit hotelierik “Pulse” në Koçan, megjithëse për këtë kanë pasur detyrim ligjor.
Në kallëzim thuhet se gjatë kësaj periudhe nuk është iniciuar asnjë procedurë sipas detyrës zyrtare për kontrollin e objektit, edhe pse bëhej fjalë për të vetmin lokal të këtij lloji në territorin e Komunës së Koçanit për 13 vjet. Sipas policisë, kjo është në kundërshtim me detyrimet e përcaktuara në Ligjin për Mbikëqyrje Inspektuese.
Autoritetet theksojnë se mosveprimi ka bërë që të mos parandalohet funksionimi i paligjshëm i objektit, ndërsa të punësuarit të ekspozohen ndaj rrezikut, pasi kanë punuar në një ambient që nuk ishte kontrolluar për përmbushjen e standardeve të sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe për respektimin e të drejtave të tyre nga marrëdhënia e punës.
Sipas policisë, si pasojë e këtij mosveprimi, lokalit “Pulse” i është mundësuar të vazhdojë në mënyrë të paligjshme ushtrimin e veprimtarisë hotelierike, duke përfituar dobi pasurore të kundërligjshme në vlerë prej 1.255.977 denarësh.