QMK: Deri në orën 18:00 janë regjistruar gjashtë zjarre, pesë janë shuar, një mbetet aktiv
Deri në orën 18:00, në territorin e vendit janë regjistruar gjashtë zjarre në sipërfaqe të hapura. Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), njëri prej tyre vazhdon të jetë aktiv, ndërsa pesë janë lokalizuar dhe shuar plotësisht.
Zjarri aktiv është në zonën ndërmjet komunave Çeshinovë-Obleshevë dhe Probishtip, përkatësisht në rajonin e fshatrave Novoselan, Lepopelc, Buçishtë dhe Neokaz. Në këtë zonë po digjen bimësi e ulët dhe pyje të degraduara me kërcell të ulët.
Ndërkohë, ekipet kompetente kanë arritur të shuajnë pesë zjarre të tjera. Katër prej tyre ishin në Komunën e Shtipit – pranë fshatrave Çardaklija dhe Star Karaorman, në lokalitetin “Isar”, si dhe në hapësirën ndërmjet Qumështores së Shtipit dhe fabrikës së tekstilit “Albatros”, ku ishin përfshirë nga flakët bimësi e ulët, drithëra dhe kashtë.
Po ashtu, është shuar edhe zjarri në pronën e “Zhito Pollog” në Komunën e Tetovës, ku flakët kishin përfshirë bimësi të ulët.