Rikonstruimi i Qeverisë, Kuvendi më 13 korrik vendos për ministrat e rinj
Propozimi për shkarkimin e disa ministrave dhe emërimin e anëtarëve të rinj të Qeverisë është dorëzuar në Kuvend, ndërsa seanca për shqyrtimin e tij është caktuar për më 13 korrik, njoftoi shërbimi parlamentar për shtyp.
Në rendin e ditës të seancës së 112-të janë paraparë tri pika: propozimi për shkarkimin e anëtarëve të Qeverisë, propozimi për shkarkimin e zëvendësministrave dhe propozimi për zgjedhjen e ministrave të rinj.
Sipas propozimit, Jeton Shasivari pritet të emërohet ministër i Drejtësisë, duke zëvendësuar Igor Filkovin.
Agon Ferati propozohet për ministër të Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive në vend të Ivan Stoilkoviqit, ndërsa vetë Stoilkoviqi është propozuar të marrë drejtimin e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, duke zëvendësuar Zllatko Perinskin.
Për postin e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave është propozuar Borçe Serafimovski, i cili do të zëvendësojë Cvetan Tripunovskin.
Sasho Klekovski propozohet për ministër të Shëndetësisë në vend të Azir Aliut.
Ndërkohë, zëvendësministri aktual Gjoko Velkovski propozohet të drejtojë Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, duke zëvendësuar Fatmir Limanin, ndërsa Sedat Sulejmani propozohet ministër i Kulturës dhe Turizmit në vend të Zoran Ljutkovit.
Po ashtu, Erxhan Demir është propozuar për ministër pa resor, duke zëvendësuar Shaban Saliun.
Deputetët pritet të votojnë për këto ndryshime në përbërjen e Qeverisë gjatë seancës së caktuar për 13 korrik.