Dy persona të prekur nga ethet e Nilit të shtruar te infektivi
Dy raste me ethet e Nilit Perëndimor janë konfirmuar laboratorikisht në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive, ka bërë të ditur drejtori i klinikës, Fadil Cana. Ai tha se të dy pacientët janë të shtruar në spital, dhe se janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore dhe po trajtohen sipas rekomandimeve moderne mjekësore.
Nga Klinika Universitare për Sëmundje Infektive apelojnë që të respektojnë në vazhdimësi masat për mbrojtje personale nga pickimi i mushkonjave.
Klinika Universitare për Sëmundje Infektive
“Klinika Universitare për Sëmundje Infektive apelon qytetarët që të respektojnë në vazhdimësi masat për mbrojtje personale nga pickimi i mushkonjave: përdorimi i repelentëve, veshja e rrobave me mëngë të gjata dhe pantallonat kur janë jashtë, vendosja e rrjetave mbrojtëse në dritare dhe largimi i ujit të ndenjur në mjedisin ku shumohen mushkonjat”.
Ata thonë se për momentin nuk ka arsye për panik, por duhet shtuar kujdes, sidomos në periudhën e verës kur aktiviteti i mushkonjave është në maksimum. Qytetarët që shfaqin temperaturë të lartë, dhimbje koke të forta, ngurtësim të qafës, dëmtim të vetëdijes ose simptoma të tjera neurologjike pas pickimit të mushkonjave duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.
Ethet e Nilit Perëndimor janë një sëmundje virale që transmetohet përmes pickimit të një mushkonje të infektuar. Shumica e të infektuarve nuk kanë simptoma ose kanë një pasqyrë të lehtë klinike, ndërsa një numër i vogël pacientësh, veçanërisht të moshuarit dhe ata me imunitet të dobësuar, mund të zhvillojnë komplikime neurologjike më të rënda.
Anida Murati /SHENJA/