Kryeministri akuzon opozitën, është pesimist për ndryshimet në Kodin Zgjedhor
As takimi i djeshëm i partive politike nuk rezultoi me konsensus për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pasi opozita vazhdon të kundërshtojë votimin e diasporës. Kryeministri Hristijan Mickoski tha sot se, Qeveria është e gatshme të pranojë kërkesat e opozitës që modeli zgjedhor të jetë me një njësi zgjedhor si dhe kërkesat e Levicës për më shumë para për financim të fushatave për partitë më të vogla, nëse opozita pranon që të miratohet Kodi i ri Zgjedhor. Ai tha se, VMRO-DPMNE e ka përsëritur qartë qëndrimin se futja e votimit të diasporës është një qëllim strategjik, por disa nga partitë politike kanë dalë me qëndrime që, sipas tij, nuk lënë hapësirë për marrëveshje.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Ne nuk jemi shtet konsensual, as sistem njëpartiak, që të gjitha vendimet të merren me konsensus. E para. E dyta, duhet të gjejmë një mënyrë. Ne në tavolinë e kemi paraqitur edhe propozimin tonë – të votohet me postë, me letra, siç është mundësuar në disa dhjetëra vende anëtare të Bashkimit Evropian. Pra, jemi të gatshëm të pranojmë, gjithçka të pranojmë, edhe një njësi zgjedhore, si dhe një buxhet më të madh për ato parti që nuk janë pjesë e katër partive më të mëdha. Le të ketë, le të reklamohen nëse mendojnë se kjo u duhet, vetëm ta sjellim Kodin Zgjedhor”.
Ai më tej akuzoi opozitën se, po e bojkotojnë procesin që vendi të përmbushë dhjetë nga dhjetë indikatorët e Agjendës së Reformave.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Indikatori i vetëm që ka mbetur është Kodi Zgjedhor. Ne nuk duam që ai të miratohet me flamur evropian, as që i gjithë procesi të jetë i imponuar në ndonjë mënyrë. Mendonim se kemi të bëjmë me njerëz të pjekur dhe të përgjegjshëm që kujdesen për të ardhmen e vendit, por duket se interesat partiake, moçali politik partiak, interesat financiare dhe disa interesa të tjera janë përpara dhe mbi gjithçka. Ne këtu nuk mund të ndihmojmë, por pas takimit të djeshëm jam gjithnjë e më pak optimist”.
Qeveria, në kodin e ri zgjedhor, propozon që diaspora të mund të votojë në mënyrë elektronike dhe ky model të hyjë në fuqi nga zgjedhjet presidenciale të citin 2029. Por, opozita është kundër kësaj, duke argumentuar se kjo lë hapësirë për keqpërdorime zgjedhore. Për të bllokuar ligjin, LSDM dhe Levica kanë dorëzuar 13 mijë amendamente në komisionin parlamentar që duhet ta kalojë ligjin.
Teuta Buçi /SHENJA/