Kaltrina Zekolli: Kontrata për autostradën Shkup–Bllacë i jep fund viteve të premtimeve boshe
Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli, ka deklaruar se nënshkrimi i kontratës për financimin e pjesës së dytë të autostradës Shkup–Bllacë, në vlerë prej rreth 200 milionë eurosh, shënon një moment historik dhe fundin e viteve të premtimeve të parealizuara për këtë projekt.
Në një konferencë për media, Zekolli tha se autostrada Shkup–Bllacë për vite me radhë ishte shfrytëzuar si premtim elektoral, ndërsa qytetarët kishin parë vetëm rreth dy kilometra rrugë të ndërtuar.
Sipas saj, financimi i siguruar për pjesën e dytë të autostradës hap një kapitull të ri për lidhjen infrastrukturore me Kosovën, lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve, zhvillimin e bizneseve, mërgatës dhe ekonomisë së rajonit.
“Rruga Shkup–Bllacë është dëshmia më e fuqishme se projektet nuk realizohen me propagandë, por me punë. Për këto 24 muaj kemi punuar që të vijmë në këtë pikë. Që njëherë e përgjithmonë ky projekt të mos mbetet peng i premtimeve pa fund. Dhe pikërisht këtë do të vazhdojë të bëjë VLEN. Një nga një, do t’i çojmë përpara projektet që me dekada janë mbajtur peng, meqë shqiptarët nuk kanë më kohë të dëgjojnë fjalë shumë e punë pak”, ka deklaruar Zekolli.