Dita e dytë e Samitit të NATO-s në Ankara, thirrje për unitet mes aleatëve
Siguria në Arktik, shpenzimet e mbrojtjes, ambiciet bërthamore të Iranit dhe mbështetja ushtarake për Ukrainën ishin në fokus të deklaratave të liderëve të NATO-s në ditën e dytë të samitit të aleancës në Ankara. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleatët duhet të sigurojnë që Rusia dhe Kina të mos fitojnë qasje më të madhe në Arktik, duke e cilësuar rajonin si një teatër strategjik gjithnjë e më të rëndësishëm. Duke iu përgjigjur pyetjeve për Grenlandën, Rutte tha se NATO ka “një proces të mirë” në lidhje me ishullin.
Sa i përket sigurisë në Lindjen e Mesme dhe Ngushticën e Hormuzit, ai tha se pret që aleatët të rikonfirmojnë se Irani “nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore”. Ndërkaq, presidenti Donald Trump kërcënoi se do të ndërpresë tregtinë me Spanjën dhe përsëriti se ende dëshiron që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin mbi Grenlandën.
Donald Trump, President i ShBA-së
“Nuk jam i kënaqur me NATO-n për atë që ndodhi me Groenlandën dhe nuk jam i kënaqur me NATO-n sepse nuk deshën të na ndihmonin për sponsorizuesin numër një shtetëror të terrorizmit, që është Irani. Spanja është një partnere e tmerrshme në NATO. Ajo nuk merr pjesë, nuk paguan. Nuk dua të kem asgjë me Spanjën. Ndërprisni të gjithë tregtinë me Spanjën”.
Erdogan gjatë fjalimit të tij në këtë samit, bëri thirrje për unitet mes aleatëve të NATO-s dhe heqjen e kufizimeve për bashkëpunimin në mbrojtje midis aleatëve të NATO-s. Ai theksoi se, edhe pse aleatët evropianë marrin përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e kontinentit, ata duhet të shmangin politikat që mund të dobësojnë unitetin e NATO-s ose lidhjet transatlantike.
Recep Taip Erdogan, president i Turqisë
“Kufizimet midis aleatëve në lidhje me bashkëpunimin në mbrojtje, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes, duhet të hiqen. Ndërsa aleatët evropianë marrin përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e kontinentit, ne duhet të përmbahemi nga masat që mund të dëmtojnë kohezionin dhe marrëdhëniet transatlantike të aleancës”.
Duke folur për zhvillimet në Lindjen e Mesme, Erdogan shprehu mbështetjen e Turqisë për një zgjidhje me dy shtete midis Izraelit dhe Palestinës, duke e cilësuar këtë si çelës të paqes së qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Ai shtoi se, është detyrë e të gjithëve të sigurojnë qetësinë, veçanërisht në Gaza dhe Liban.
Teuta Buçi /SHENJA/