Janevska: Universitetet që nuk përmirësojnë mangësitë do të mbyllen
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, ka paralajmëruar mundësinë e mbylljes së disa universiteteve në vend, nëse gjatë procesit të vlerësimit konstatohen mangësi që nuk do të korrigjohen. Ajo tha se kontrollet në institucionet e arsimit të lartë po vazhdojnë dhe se për herë të parë pas një periudhe të gjatë po zhvillohen vlerësime me përfshirjen e ekspertëve të huaj. Sipas Janevskës, në disa universitete janë evidentuar parregullsi në funksionim, ndërsa Agjencia për Cilësi në Arsimin e Lartë tashmë ka nisur proceset e rregullta të vlerësimit dhe kontrollit të standardeve akademike.
VESNA JANEVSKA, MINISTRE E ARSIMIT
“Vlerësimet e para që po bëhen me ekspertë të huaj tregojnë se në disa universitete puna është e mirë, por në disa universitete të tjera do t’u hiqen akreditimet. Ne i respektojmë afatet ligjore dhe procedurat. Pasi të përfundojnë afatet për ankesa dhe mundësitë për korrigjim, ato institucione që nuk do t’i përmirësojnë mangësitë do të mbyllen gradualisht”.
Ministrja nuk bëri të ditur emra konkretë të institucioneve, por theksoi se procedurat do të zhvillohen në përputhje me ligjin, duke u dhënë institucioneve mundësi për ankesa dhe për përmirësimin e mangësive të konstatuara.
Samir Mustafa /SHENJA/