BDI pas protestës në Tetovë: Historia nuk kthehet prapa, shqiptarët e kanë refuzuar prej kohësh Josip Broz Titon
Pas protestës së mbajtur në Tetovë kundër rikthimit të emrave të vjetër të rrugëve, BDI ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se shqiptarët e kanë shprehur prej kohësh qëndrimin e tyre ndaj figurës së Josip Broz Titos.
Sipas partisë, përpjekjet për rikthimin e simboleve të së kaluarës janë të destinuara të dështojnë, ndërsa theksohet se Tetova dhe shqiptarët vazhdojnë të ecin përpara, të mbështetur në identitetin, dinjitetin dhe historinë e tyre.
Në reagimin e plotë, BDI deklaron:
“Shqiptarët ia kanë dhënë prej kohësh përgjigjen Josip Broz Titos. Historia nuk kthehet prapa. Përpjekjet për të rikthyer reliktet e një kohe të errët janë të destinuara të dështojnë. Pinjollët e atij sistemi, sado nostalgji të kenë, nuk do të arrijnë t’ua imponojnë shqiptarëve simbolet që ata i kanë refuzuar me kohë. Tetova dhe shqiptarët ecin përpara, me identitetin, dinjitetin dhe historinë e tyre, jo me hijet e së kaluarës.”
Reagimi i BDI-së vjen pas protestës së organizuar në Tetovë, ku pjesëmarrësit kundërshtuan iniciativën për rikthimin e emrave të vjetër të rrugëve në qytet.