Deputetët votuan për shkarkimin e tetë ministrave dhe dy zëvendësministrave
Kuvendi nisi procesin e rikonstruimit të Qeverisë. Deputetët sot votuan shkarkimin e ministrave dhe zëvendës ministrave, ndërsa ka vazhduar debati për emërimin e ministrave të rinjë. Kryeministri Hristijan Mickoski nga foltorja e Kuvendit arsyetoi shkarkimet dhe emërimet. Në fjalimin e tij, ai deklaroi se të gjithë ministrat, për të cilët është paraqitur propozim për shkarkim, janë të ndershëm dhe njerëz me dinjitet dhe nder, të cilët i kanë kryer detyrat e tyre me ndershmëri, profesionalizëm dhe me ndjenjë përgjegjësie.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Që nga dita e parë që morëm përgjegjësinë, thashë se kjo Qeveri nuk do të ishte një qeveri rehatie, por një qeveri rezultatesh. Nuk do të jetë një qeveri në të cilën funksionet do të konsideroheshin një e drejtë e fituar, por një detyrim që duhet të fitohet nga e para çdo ditë. Ky nuk ishte një slogan politik. Ky ishte një parim”.
Ndërkaq, deputetja e Lidhjes Shqiptare Ilire Dauti, e pyeti kryeministrin se kur gabon më shumë, kur emëron apo shkarkon ministra.
ILIRE DAUTI, DEPUTETE E LIDHJES SHQIPTARE
“Jo vetëm ne, por edhe vetë kryeministri nuk beson në përzgjedhjet e veta. Ai shpesh po i ndërron njerëzit të cilët vetë i vendos në krye të pozitave dhe i bie që tashmë kemi një pik të përbashkët, të dy e dim që ai gabon. E din edhe ai vetë se gabon në përzgjedhjen e kuadrove për të udhëhequr me shtetin.…kur gabo më shumë, kur i emëron të njejtit, apo kur i shkarkon”.
Ndërsa deputeti i BDI-së Ilir Hasani lëre që nuk e kritikoi ministrin e shkarkuar të Shëndetësisë Azir Aliu, por krejt fajin e përqëndroi tek partia që siç tha ai nuk e mbështeti. E deklarata e tij, e tërhoqi edhe vëmendjen e kryeministrit, i cili nisi të marrë shënime, derisa po e dëgjonte deputetin me shumë kujdes.
ILIR HASANI, DEPUTET I BDI-SË
“Mendoj se gabimi më i madh do të ishte që ti akuzojmë ministrat të cilët sot edhe kryeministri i falenderoi për punën e tyre që e kanë bërë. Mendoj se problemi nuk është vetëm figura apo ministri, por problemi është se ata ministra, e sidomos të themi për ministrin e Shëndetësisë, nuk e pati mbështetjne partisë, e cila e ka sjellur këtu dhe nuk e pati mbështetjen e partnerëve në Qeverisë”.
Deputeti Halil Snopçe kritikoi kryeministrin se përse nuk dha arsye për shkarkimin e ministrave.
HALIL SNOPÇE, DEPUTET I ALEANCËS PËR SHQIPTARËT
“E dëgjuam kryeministrin, i cili dha propozim për shkarkimet për ministrat, e na ana tjetër i lavdëroi ministrat. Kryeministër kjo është oksimorom. Nëse ministrat ishin të mirë, nuk do duhej të shakrkoheshin. Ne nuk dëgjuam arsye se përse shkarkohen. Nga ana juaj kryeministër dëgjuam një arsyetim filozofik”.
Deputeti i Levicës Borisllav Kërmov, mendon se ky rikonstruim po e fuqizon VLEN-in dhe druan se me dhënien e Ministrisë së Drejtësisë, shqiptarizohet edhe gjyqësori.
BORISLLAV KËRMOV, DEPUTET I LEVICËS
“VLEN nga ky rikonstruim do të dal më e fuqishme, fiton plus një resor, pra e mer resorine Drejtësisë. Me këtë bëhen dy gjëra, e para ju forcohet pozita, në krahasim me BDI-në dhe ju jepet Drejtësia me çka në altarin e kalkulimeve politike,e vendosin gjyqësorin sepse de facto nëse pranojmë që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe, atëherë de facto po hyjmë në një proces në të cilin edhe gjyqësori maqedonas do të jetë dygjuhësh në planin afatgjatë”.
Kuvendi shkarkoi ministrat Igor Filkov, Zllatko Perinski, Ivan Stoillkoviq, Cvetan Tripunovski, Zoran Lutkov, Azir Aliu, Fatmir Limani, Shaban Saiu dhe zëvendës ministrat Gjoko Vellkovski dhe Sedat Sulejmani.
Ndërsa pritet të emërohen Jeton Shasivari në Drejtësi, Ivan Stoillkoviqi nga Ministria e Marëdhënieve midis Bashkësive në Vetëqeverisje Lokale, Sasho Klekovski në Shëndetësi, Agon Ferati në Ministrinë e Marrëdhënieve midis Bashkësive, Borçe Serafimovski në Bujqësi, Gjoko Vellkovski në Poltiikë Sociale, Sedat Sulejmani në Kulturë dhe Erxhan Demir do ta zëjë vendin e Shaban Saliut.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/