Katër kompani konkurrojnë për autobusët elektrikë
Katër kompani kanë aplikuar në tenderin e përsëritur për furnizimin me autobusë elektrikë për transportin publik në Shkup dhe në qytete të tjera të vendit. Kështu njoftoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandër Nikollovski. . Ai paralajmëroi se të hënën do të bëhen publike emrat e kompanive që kanë aplikuar, pasi të pranojë raportin nga Komisioni për Vlerësim.
ALEKSANDËR NIKOLLOVSKI, MINISTËR I TRANSPORTIT
“Këtë mëngjes mora informacion se të hënën do ta marr raportin. Kanë aplikuar katër kompani, ndërsa të hënën do ta njoftojmë publikisht opinionin me raportin dhe me konstatimet në të. Me të vërtetë shpresoj që këtë herë thirrja të jetë e suksesshme dhe të kemi një furnizim të suksesshëm me autobusë. Shpresoj që përvojat nga thirrja e kaluar të jenë një mësim edhe për kompanitë, që të përgatisin dokumentacion të mirë dhe cilësor”.
I pyetur nëse bëhet fjalë për kompani evropiane dhe nëse mes tyre ka pjesëmarrës nga tenderi i mëparshëm, Nikolloski tha se nuk disponon me këto informacione, pasi nuk dëshiron të ndikojë në punën e Komisionit.
ALEKSANDËR NIKOLLOVSKI, MINISTËR I TRANSPORTIT
“Ligji parasheh formimin e një Komisioni të përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Transportit dhe Fakultetit të Makinerisë, ndërsa ministri njoftohet vetëm përmes raportit përfundimtar. Pikërisht sepse kjo procedurë ka zgjuar interes të madh publik, nuk dua në asnjë mënyrë të ndikoj apo të përzihem në punën e Komisionit. Në momentin që do ta marr raportin, ai do të bëhet publik”.
Procedura e furnizimit u përsërit pas anulimit të tenderit të mëparshëm për 150 autobusë elektrikë dhe 75 stacione për karikim. Njëqind autobusë janë paraparë për Shkupin, ndërsa 50 të tjerët për qytete të tjera në vend. Sipas dokumentacionit të tenderit, autobusët duhet të jenë me ngjyrë të kuqe ose të bardhë, të kenë të paktën 30 ulëse për pasagjerë, përveç ulëses së shoferit, kapacitet për të paktën 66 pasagjerë, hapësirë për karrocë invalidore dhe platformë manuale për qasje.
Samir Mustafa /SHENJA/