Klekovski: Nuk do të shpallet epidemi në Gostivar pa u identifikuar shkaku i rasteve
Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski vizitoi Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” dhe njoftoi se autoritetet shëndetësore po hetojnë shkaqet e valës së rasteve me simptoma gastrointestinale.
Ministri i Shëndetësisë, dr. Sasho Klekovski, sot vizitoi Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar, ku u informua nga afër për gjendjen e pacientëve të trajtuar në repartin e pediatrisë dhe atë të sëmundjeve infektive.
Gjatë vizitës, ministri u takua me drejtuesit dhe punonjësit shëndetësorë të spitalit, si dhe me përfaqësues të Qendrës për Shëndet Publik. Ai bëri të ditur se në 24 orët e fundit janë pranuar 260 pacientë me probleme gastrointestinale, prej të cilëve 100 fëmijë në repartin e pediatrisë dhe 160 persona në repartin e sëmundjeve infektive.
Në momentin e vizitës, në spital ishin të hospitalizuar 7 pacientë në pediatri dhe 20 pacientë në repartin infektiv. Numri i përgjithshëm i personave të prekur tashmë ka kaluar mbi një mijë, ndërsa vlerësimet fillestare tregojnë se kulmi i rasteve është shënuar gjatë dy ditëve të fundit.
Pacientët paraqesin kryesisht simptoma si diarre, të vjella, temperaturë dhe dehidrim. Trajtimi kryhet me infuzione për rehidrim dhe terapi simptomatike, ndërsa shumica e pacientëve janë liruar për të vazhduar trajtimin në kushte shtëpie. Tre fëmijë janë mbajtur nën mbikëqyrje mjekësore.
Sipas të dhënave të deritanishme, të prekurit janë të të gjitha grupmoshave, por numri më i madh i rasteve është evidentuar te fëmijët dhe të rriturit me sëmundje shoqëruese. Shumica e pacientëve janë nga Gostivari, por ka raste edhe nga vendbanimet përreth, si Vrutoku, Çegrani, Çajla dhe Debreshti.
Hetimet epidemiologjike po zhvillohen nga Instituti i Shëndetit Publik, Qendra për Shëndet Publik dhe Spitali i Përgjithshëm i Gostivarit. Aktualisht po analizohen mostra të ujit, analiza laboratorike të gjakut dhe koprokultura për të identifikuar shkaktarin e mundshëm të situatës.
Nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se deri tani janë plotësuar 18 anketa epidemiologjike dhe është mbledhur një numër i kufizuar mostrash. Për një hetim të plotë kërkohet bashkëpunim më i madh me ekipet epidemiologjike.
Bazuar në të dhënat fillestare për shpërndarjen e rasteve në kohë dhe hapësirë, ushqimi si burim i problemit nuk konsiderohet aktualisht si shkaku më i mundshëm, por rezultatet përfundimtare priten pas përfundimit të analizave.
Autoritetet shëndetësore theksojnë se situata po monitorohet vazhdimisht dhe se Spitali i Përgjithshëm në Gostivar ka kapacitete dhe terapi të mjaftueshme për trajtimin e pacientëve. Nevojat për staf shtesë në repartin e sëmundjeve infektive po mbulohen edhe nga repartet e tjera të spitalit.