LSDM: KE konfirmon presionin e pushtetit mbi gjyqësorin
Raporti i fundit i Komisionit Evropian për sundimin e ligjit përbën konfirmimin më të fortë se sistemi gjyqësor në vend ndodhet nën presion serioz politik nga VMRO-DPMNE dhe kryeministri Hristijan Mickoski. Kështu deklaroi sot në një konferencë për media zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska. Sipas saj, Komisioni Evropian në raportin e tij evidenton qartë ndërhyrje në punën e gjyqësorit dhe prokurorisë, mungesë reformash, korrupsion të përhapur dhe parregullsi në procedurat e prokurimeve publike.
BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË
“Atë që Komisioni Evropian e identifikon si problem sistemik, qytetarët e shohin çdo ditë përmes vendimeve të Mickoskit dhe njerëzve të tij. Emërimi i personave të afërt me VMRO-në në pozita kyçe të sistemit të drejtësisë është bërë praktikë”.
Kuzeska akuzoi gjithashtu për ndërhyrje të drejtpërdrejtë të pushtetit ekzekutiv në sistemin e drejtësisë. Ajo përmendi disa raste që, sipas saj, dëshmojnë për ndikim politik në sistemin e drejtësisë, duke përfshirë publikimin e parakohshëm të informacioneve mbi çështje gjyqësore, largimin e prokurorit nga lënda “Talir 2”, kërcënimet ndaj opozitës, ndalimet selektive të ish-funksionarëve të LSDM-së gjatë fushatës zgjedhore dhe paralajmërimin publik të hetimeve nga kryeministri para nisjes së procedurave zyrtare.
BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË
“Kjo është një politikë sistematike e kontrollit mbi institucionet nga grupi i organizuar kriminal VMRO, i udhëhequr nga Hristijan Mickoski. Qëllimi është i qartë: të pengohet një gjyqësor dhe prokurori e pavarur, të mbrohen kriminelët dhe të vazhdojë pandëshkueshmëria. Prandaj VMRO-ja pengon me qëllim procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.
Ajo shtoi se Komisioni Evropian e ka kthyer për rishqyrtim ligjin për Prokurorinë e Lartë, pasi nuk është në përputhje me rekomandimet evropiane dhe nuk garanton pavarësinë e institucionit. Sipas Kuzeska, raporti i Komisionit Evropian paralajmëron gjithashtu se ndryshimet në Kodin Penal krijojnë hapësirë për pandëshkueshmëri, ndërsa procesi i reformave në drejtësi mbetet i rrezikuar nga ndikimi politik. /SHENJA/